Elita e futbollit kosovar sot sjell një superndeshje ku përballen dy skuadrat e Anamoravës, Gjilani e Drita.
Ky takim që ishte paraparë të luhet dje, por për shkak që vendi ynë ishte në Ditë Zie pas 45 viktimave shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që humbën jetën në një aksident trafiku në Bullgari, ndeshja është shtyrë për sot.
Gjithmonë ndeshjet e këtyre dy skuadrave kanë zgjuar interesim të madh, por këtë herë është shumë më interesant pasi të dyja ekipet po luftojnë për kreun e tabelës. Gjilani është në vendin e parë ndërsa Drita në të dytin.
Mëkati i vetëm por shumë i madh i kësaj sfidë është numri i kufizuar i tifozëve që do të jenë në stadium, pasi lejohen vetëm 30 përqind e kapacitetit për shkak të masave anti-COVID 19, që i bie dikund 1300 tifozë do të jenë prezentë.
Takimi nis nga ora 13:00, derisa sot luhen edhe dy ndeshje tjera po në këtë orë ku Drenica në Skenderaj e pret Llapin ndërsa Ballkani luan me Malishevën.