Ylli i Bayern Munich infektohet me Covid-19, s’ka pranuar të vaksinohet deri tani

Mesfushori i Bayern Munich, Joshua Kimmich, është infektuar nga virusi Covid-19, njoftoi klubi gjerman të mërkurën vonë.

Ai u prek nga ky virus pak ditë pasi trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, zbuloi se priste nga ai që të vaksinohej, pavarësisht se në të kaluar kishte shprehur rezervime për vaksinën.

Kimmich ishte në qendër të një debati kombëtar në Gjermani, pasi tha publikisht se nuk ishte i gatshëm ta merrte vaksinën për shkak se shqetësohej nga mungesa e studimeve afatgjate për efekteve anësore të saj.

I pyetur nëse besonte se Kimmich do të vaksinohej ditë më parë, Flick kishte thënë: “Po, them se po, mendoj se ashtu do të ndodhë. Ne biseduam dhe biseda ishte shumë e mirë. Tani duhet të presim dhe të shohim”.

Flick e mbrojti mesfushorin gjerman nga kritikat e shumta që i mori për shkak të qëndrimit të tij karshi vaksinës, duke thënë se ai donte thjesht të dinte më shumë rreth vaksinës para se të vendoste.

“Kimmich nuk ka faj për numrin e lartë të të infektuarve. E di se ai mendon për shumë gjëra. Ai nuk është nga ata që e marrin vaksinën shkaku i presionit. Por shkaku i bindjes”, shtoi ai.

Kimmich e ka mohuar ashpërsisht se është mohues i virusit apo i vaksinës, duke këmbëngulur se thjesht ndihet i shqetësuar rreth efekteve anësore afatgjate të vaksinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *