Dermaku: Lituania, një aksident. Autokritikë, duke fituar kualifikueset e radhës

Sot është dita e parë e përgatitjeve të kombëtares kuqezi për ndeshjet e tetorit. Tashmë janë dy të tilla, zyrtare, në kuadrin e Ligës së Kombeve, sepse miqësorja me Armeninë, e planifikuar për me datën 7, është anuluar. Kuqezinjtë janë sy dhe veshë nga Kazakistani dhe Lituania, ku kërkojnë pikërt maksimale. Në konferencë për shtyp ka dalë mbrojtësi Kastriot Dermaku, që këtë të hënë u huazua te Lecce në Serie B. Ndër të tjera, ai tha:

“Mendoj se është lajm pozitiv anullimi i miqësores me Armeninë, pasi kemi më shumë kohë për t’u stërvitur me lojtarët e rinj. Pastaj, situata në Armeni nuk është e mirë. Kjo kohë do t’iu shërbejë më shumë prurjeve të reja që të përshtaten me skuadrën.

Kalimi im te Lecce? Jam i gëzuar, pasi atje do të luaj më shumë. Te Parma ishim 5 mbrojtës dhe për këtë arsye jam larguar. Lecce kishte një projekt rreth meje, pastaj unë dua të luaj më shumë. Kokurrenca në kombëtare? Jemi të kënaqur, pasi është konkurrencë e mirë. Në mbrojtje kemi lojtarë të fortë. Konkurrenca e përmirëson edhe më shumë kombëtaren. Kushdo që të luajë në këto dy ndeshje do të bëjë mirë pasi, mendoj se të gjithë janë lojtar të mirë. Prurjet e reja në kombëtare? Nuk është moment i mirë nga Covid-19. Jam i bindur që me lojtarët e rinj, që kanë bërë ndeshje të mira me U-21, kombëtarja do të jetë më e fortë. Ata kanë për të bërë shumë mirë edhe këtu. Me punë dhe me pozitivitet çdo gjë do të shkojë shumë mirë.

Humbja e fundit me Lituaninë? Nuk jemi aspak të kënaqur për atë ndeshje, sepse vinim nga një fitore e mirë në Bjellorusi. Mendoj se nuk ishim në gjendje të mirë fizike. Ajo ndeshje nuk do të përsëritet më. Dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve? Do të japim maksimumin për të marrë sa më shumë pikë. Nuk futemi në fushë për barazim apo humbje, por për të fituar. Ky është objektivi ynë.

Përse nuk fitojmë dot dy ndeshje radhazi? Duhet të jemi më të përqendruar ndaj ekipeve të ashtuquajtura të vogla. Jam i bindur se gjërat do të shkojnë më mirë. Ndeshja ndaj Bjellorusisë solli pozitivitet në ekip, por lodhja fizike shkaktoi humbjen tonë ndaj Lituanisë në Tiranë. Duam të fitojmë ndeshjet e radhës, që të bëjmë autokritikë. Kemi një grup të fortë dhe duam të marrim sa më shumë pikë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *