Zviceranët “masakrojnë” gjyqtarin anglez për të kuqin, me ta bëhet edhe Lineker

Kualifikimi i Spanjës në çerekfinale të “Euro 2020” ndaj Zvicrës ka lënë një gjendje të keqe te helvetët. Ata e kanë inatin direct me gjyqtarin e ndeshjes, Michael Oliver. E kuqja direkte ndaj Freuler në minutën e 77-të për një ndërhyrje ndaj Gerard Moreno konsiderohet e tepruar dhe shkaku që para dhe pas atij momenti u pa një Zvicër kaq e ndryshme.

Twitter ishte i mbushur me kritika ndaj gjyqtarit për vendimin e tij. “Arbitri kishte veshur fanellën e Spanjës poshtë”, “Duhet të qeshësh me atë të kuqen”, “Shumë i varfër Michael Olivder, i cili ka një histori vendimesh kritike”…; ishin disa nga komentet në këtë rrjet social. Edhe ish-futbollisti Gary Lineker kritikoi ashpër bashkatdhetarin e tij: “Një tjetër karton i kuq për praktikisht asgjë!”

Për ish-gjyqtarin gjerman dhe ekspertin e ZDF, Manuel Gräfe, ishte një vendim shumë i ashpër. “E verdha do të kishte mjaftuar”, – tha ai. Ish-arbitri zviceran, Urs Meier, njoftoi para çerekfinales: “Ai është një gjyqtar i shkëlqyeshëm, që ka njohuri të mira të futbollit. Është dikushi që lejon të ketë kontakte”. Pas të kuqit ndaj Freuler, kjo frazë e tij u bë “virale”.

Michael Oliver më herët u bë i famshëm për penalltinë e akorduar në favor Real Madridit kundër Juves në Ligën e Kampionëve, më 2018. Gianluigi Buffon tha për të se ai kishte “një kazan plehrash në vend të zemrës. Duhet të ulet në tribunë dhe të hajë patate të skuqura, para se të fishkëllejë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *