Reus ia vrau ëndrrën Guardiolës, 207 minuta larg rekordit në Champions

Manchester City i Pep Guardiolës ra për shkak të golit të Marco Reus, duke mbetur 207 minuta larg barazimit të rekordit të pamposhtmërisë në Ligën e Kampionëve, mbajtur nga Arsenali në sezonin 2006-2007.

“Qytetarët”, të cilët nuk kishin pësuar gol që nga dita e parë e fazës së grupeve, grumbulluan gjithsej 788 minuta pa pësuar gol në Champions, këtë sezon, duke mos i arritur dot 995 minutat e pamposhtur të “Topçinjve”. Këta të fundit, në sezonin e rekordit në fjalë (2005-2006) arritën deri në finalen e Parisit, në të cilin e humbën përballë Barcelonës.

Ishte kolumbiani Luis Diaz i Portos, lojtari i fundit që kishte shënuar gol kundër Manchester City në Champions, derisa këtë të martë, Marco Reus, në minutën e 84-të të ndeshjes së parë çerekfinale, arriti ta mposhtte Ederson dhe t’i jepte fund serisë së shtatë ndeshjeve pa e nxjerrë topin nga rrjeta.

Pavarësisht kësaj, Manchester City mori rezultat pozitiv kundër gjermanëve. Golat e Kevin De Bruyne dhe Phil Foden u dhanë avantazhin 2-1 anglezëve, të cilët do të vizitojnë “Signal Iduna Park” javën e ardhshme për t’u mbrojtur dhe siguruar kalimin në gjysmëfinale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *