Sergio Ramos mund të largohet nga PSG që në merkaton e janarit. Lajmi i bujshëm vjen nga Spanja. Në sesionin e fundit të merkatos, Leonardo përfitoi për të marrë ish-mbrojtësin e Realit të Madridit, që erdhi me parametra zero, ashtu si Donnarumma, Wijnaldum dhe Messi.
Pasi nuk gjeti një akord me Realin për rinovimin e kontratës, Ramos vendosi të transferohej në Paris, duke nisur në këtë mënyrë një sfidë të re. Por për ish kapitenin e Los Blancos gjërat nuk është se kanë shkuar dhe aq mirë. Përkundrazi, Sergio Ramos ka vuajtur probleme fizike, që e kanë kushtëzuar që të luajë gjithsej në vitin kalendarik 2021-t vetëm 444 minuta, të gjitha këto me Realin, pasi ende nuk ka luajtur asnjë minutë me PSG.
Rikthimi i tij në fushë parashikohet në fund të muajit, por ndërkohë duke parë edhe pagën prej 15 milionë eurosh, në kryeqytetin francez nuk janë të pakta dyshimet në lidhje me gjendjen e tij fizike. Për këtë arsye, siç zbulon e përditëshmja El Nacional, drejtori sportiv Leonardo po studion mundësinë për ta shitur spanjollin që në janar.
Mes kandidatëve kryesorë për të është Manchester United që u interesua për Ramos që në merkaton e verës. Për këtë arsye Leonardo ka kërkuar informacion duke studiuar terrenin për një shkëmbim të mundshëm me Anthony Martial, që prej kohësh ju pëlqen parizienëve.