Munishi debuton me triumf duke ia siguruar Gjilanit fitoren e parë këtë vit

Ismet Munishi ka debutuar me fitore në stolin e Gjilanit, duke i udhëhequr kuqebardhët drejt fitores 2:1 kundër Trepçës ’89, e cila ishte e para për gjilanasit në vitin 2021.

Gerhard Progni shënoi dy herë në fillim të secilës pjesë në Stadiumin e Qytetit në Gjilan të dielën, për tri pikët e para të Gjilanit që prej dhjetorit, raporton Gazeta Express.

Kjo fitore vjen menjëherë pas emërimit të Ismet Munishit në postin e trajnerit të premten, kur Gjilani i ndau rrugët me Bylbyl Sokolin, nën udhëheqjen e të cilit e mori tatëpjetën këtë sezon.

Gjilani po vinte në këtë takim nga një ecuri prej shtatë ndeshjeve radhazi pa fitore, përfshirë tri humbje në të gjitha garat.

Prognit iu deshën vetëm dy minuta për ta thye akullin, kur shënoi nga gjuajtja e lirë.

Ai e dyfishoi epërsinë e vendasve menjëherë në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 48-të.

Një fije shprese për rikthim vizitorëve nga Mitrovica ua dha Sedat Berisha, kur e shënoi atë që ishte goli i vetëm të tyre në minutën e 86-të.

Gjilani ia doli ta ruajë epërsinë në minutat e mbetur dhe e shijoi fitoren e parë pas tre muajve.

Gjilani mbetet në pozitën e katër tani me 36 pikë, 10 larg zonës së rënies nga liga.

Trepça ’89 është përfundi Gjilanit dhe katër pikë më pak.

Në ndeshjen tjetër të javës së 25-të të zhvilluar sot, Drenica dhe Arbëria luajtën baras pa gola. /GE/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *