I pari i FSHF-së uron për përvjetorin e pestë të pranimit të Kosovës në UEFA: Pa kontributin e Vokrrit arritja do ishte e pamundur

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka uruar Kosovën për përvjetorin e pestë të pranimit në UEFA.

Kosova sot shënon përvjetorin e pestë prej se është pranuar në shtëpinë më të madhe të futbollit në Evropë, UEFA, shkruan Demokracia.com.

Kosova ia doli që me 28 vota pro, 24 kundër të bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-s.

Një nga federatat që kishte lobuar që Kosova të pranohet në UEFA ishte FSHF-ja me në krye, presidentin Armando Duka.

Ky i fundit përmes llogarisë së tij në Facebook ka uruar FFK-në dhe presidentin, Agim Ademin në këtë përvjetor.

Duka të njëjtën kohë ka kujtuar edhe legjendën e futbollit kosovar dhe ish-krytarin e FFK-së, Fadil Vokrrin duke shkruar se pa kontributin e Vokrrit kjo arritje do të ishte e pamundur.

Ky është urimi i Armando Dukës në Facebook:

“Sot është një datë historike për futbollin kosovar dhe Federatën e Futbollit të Kosovës. 5 vite më parë Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA gjatë Kongresit të 40-të, duke shënuar kështu një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare.

Dua të shpreh urimet më të sinqerta për FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe të gjithë aktorët e futbollit në Kosovë në këtë përvjetor të pestë.

Ndihem mirë teksa shoh që futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdha përpara, duke u rritur dhe duke u përfaqësuar gjithmonë e më mirë edhe ndërkombëtarisht.

Federata Shqiptare e Futbollit është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vëllezërit tanë të FFK për të çuar përpara projekte të mëdha në të mirë të futbollit.

Falenderim e mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK, legjendën Fadil Vokrri, pa kontributin e të cilit kjo ngjarje historike do të ishte e pamundur.

Urime edhe një herë Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë ditë të shënuar!“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *