Mundësi kosovar Egzon Shala është mposhtur në çerekfinale të mundjes në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio, por shpresat e tij për medalje olimpike janë ende gjallë.
Shala u mposht nga Amir Hossein Zare i Iranit në duelin çerekfinal në kategorinë -125 kilogramë të enjten herët në mëngjes.
30-vjeçari nga Suhareka e kishte fituar luftën e parë ndaj algjerianit Djahid Berrahal, por disfata në çerekfinale nënkupton se ai e ka humbur mundësinë për të luftuar për medalje të artë apo argjendtë.
Ai është garuesi i fundit i Kosovës në Tokio.
Shala tani shpreson se do të jetë në mesin e mundësve që e sigurojnë një vend në gjysmëfinale për medaljen e bronztë në Tokio, megjithëse nuk është më në dorën e tij.
Atij tani i duhet të shpresojë në fitore të iranianit Zare në gjysmëfinale, për t’iu mundësuar garimin në repesazh. Lufta e iranianit me Petriashvillin e Gjeorgjisë, zhvillohet prej orës 11:15 me kohën tonë.
Shala synon historinë në Tokio, pasi do të bëhej atleti i parë kosovar që fiton medalje olimpike.
Kosova i ka tri medalje olimpike nga dy pjesëmarrje në Olimpiadë në historinë e vet, por të trija të fituara nga çikat dhe në sportin e njëjtë, xhudo.
Majlinda Kelmendi e fitoi të artën në Rio 2016, ndërsa Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova po ashtu fituan medalje të arta në kategoritë e veta përkatëse në Tokio 2020.