Portieri i Sassuolos Arijanet Muric e ka pranuar ftesën e Kombëtares së Kosovës për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe i është përgjigjur pozitivisht pavarësisht raportimeve të fundit.
Kosova i zhvillon katër përballje në Ligën e Kombeve, dy kundër Austrisë, një më Irlandën dhe një me Izraelin. Megjithatë, pensionimi i Amir Rrahmanit mori vëmendjen e madhe, me kapitenin që njoftoi se nuk do të luajë për “Dardanët” duke shfaqur pakënaqësi me drejtuesit e FFK-së.
Të dielën u raportua se edhe “gjashtë lojtarë të tjerë, drejtuar nga Edon Zhegrova do të ndjekin hapat e Rrahmanit”, ndërsa në këtë listë ishte edhe portieri Muric pranë emrave si Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe Florent Muslija.
Megjithatë, babai i Muric, Samiri, në një bisedë të shkurtër për Telegrafin konfirmoi se janë raportimet nuk janë të vërteta, duke shtuar se portieri është i lumtur me Kosovën.
“Jo, ai është i lumtur dhe unë jam njëkohësisht. I njohim mirë ata njerëz”, thotë shkurtimisht ai kur pyetet se nëse ylli i Sassuolos e ka refuzuar ftesën si pasojë e ndonjë pakënaqësie me drejtuesit e FFK-së.
Kësisoj, Muric do t’i prijë Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve, me “Dardanët” që kanë për objektiv së paku pozitën e dytë në grup, gjë që do t’ia siguronte një vend në vazon e dytë për kualifikimet e “Euro 2028”, shorti i të cilës do të tërhiqet në dhjetor.
Formë e jashtëzakonshme te Sassuolo
Që kur ka nisur sezoni, Muric ka qenë i padiskutueshëm për Sassuoolon, ndërsa ka dhënë paraqitje spektakulare ndeshje pas ndeshjeve.
Deri më tani, ai ka zhvilluar pesë paraqitje (katër në Serie A dhe një në Kupën e Italisë), duke qenë ndër më të vlerësuarit.
Muric ka qenë më i vlerësuari në fitoren 3-0 të Sassuolo ndaj Cesenas në Kupën e Italisë, ndërsa ishte arsyeja kryesore pse skuadra e tij i mori pikët e plota kundër Juventusit, pavarësisht që pranoi dy gola nga bashkëvendasi Edon Zhegrova, me “Sofascore” që e vlerësoi me notën 8.1.
Ndërkohë, në ndeshjet e tjera si me Bolognan dhe Torinon mori notat 7.2, respektivisht 7.7 – duke bërë që vlerësimi më i dobët të jetë 6.8 në humbjen 2-1 ndaj Atalantas.