Boshnjaku: Ndaj Dritës duam ta rikthejmë vetëbesimin

Prishtina do të ketë punë të vështirë në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll, pasi që udhëton në Gjilan për t’u përballur me Dritën.

Kryeqytetasit në rast të fitores do të bënin hap të madh në ngushtimin e distancës së pikëve dhe synim kryesor nga takimi i nesërm do të jenë pikët e plota.

Kështu të paktën ka deklaruar kapiteni i kësaj skuadre Lorik Boshnjaku.

“Përballja me Dritën ndeshje me rëndësi të madhe për ne, sepse na kanë munguar rezultatet dhe normalisht jemi të zhgënjyer deri më tani me ecurinë tonë, por që mund të rikthejmë vetëbesimin shumë nga kjo ndeshje nëse arrijmë të fitojmë e që normalisht është synimi ynë”, ka theksuar Boshnjaku për faqen zyrtare të klubit.

Prishtina aktualisht ndodhet në pozitën e pestë të renditjes tabelare me 14 pikë, mirëpo që ka edhe një ndeshje për të zhvilluar dhe atë pikërisht ndaj Dritës në kuadër të xhiros së 3-të.

Dueli ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, i vlefshëm për xhiron e 12-të zhvillohet të martën me fillim nga ora 13:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *