Vesel Demaku ka lindur dhe është rritur në Austri, por kur erdhi momenti për të zgjedhur se cilën kombëtare do ta përfaqësonte, mesfushori vendosi të refuzojë Austrinë dhe të veshë fanellën e Kosovës.
Në një intervistë për mediumin austriak Der Standard, Demaku ka rrëfyer për herë të parë me detaje peshën që kishte kjo zgjedhje për të, duke theksuar se për të nuk bëhej fjalë vetëm për futboll, por edhe për historinë e familjes dhe identitetin e tij.
“Absolutisht. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit – është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare. Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka thënë Demaku, duke folur për lidhjen e tij me Kosovën.
Ai ka treguar edhe historinë e gjyshit të tij, Veselit, emrin e të cilit e mban. Gjyshi i tij kishte humbur jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës, ndërsa për Demakun, të luante për Kosovën 25 vjet më vonë kishte një domethënie të veçantë.
“Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, ka deklaruar ai.
“E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, ka thënë Demaku.
Megjithatë, ai tregon se me kalimin e viteve, ndërsa kuptoi më shumë për historinë e Kosovës dhe u angazhua më shumë me historinë e politikën, vendimi i tij u bë gjithnjë e më i qartë.
“Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë – atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100%”, ka rrëfyer futbollisti.
Zgjedhja e tij solli edhe reagime negative në Austri, diçka për të cilën Demaku thotë se ishte i përgatitur. Ai megjithatë është shprehur i lënduar nga mënyra se si u portretizua, pasi e konsideron veten si një shembull të integrimit në shoqërinë austriake.
“Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, tha ai.
Për Demakun, fanella e Kosovës ka një peshë që shkon përtej futbollit. Ai ka përshkruar emocionet e veçanta të debutimit, himnit dhe atmosferës që krijohet para ndeshjeve të Kosovës.
“Herën e parë, je jashtëzakonisht krenar. Kur sheh sa krenar mund të krijosh familjen tënde me profesionin tënd, është jashtëzakonisht përmbushëse. Ishte gjithashtu një histori e madhe për babanë tim, babai i të cilit vdiq në luftë”, ka thënë Demaku.
Ai ka rrëfyer edhe atmosferën e krijuar në Kosovë gjatë ndeshjeve të rëndësishme dhe ka theksuar se ëndrra e tij dhe e bashkëlojtarëve është që një ditë ta dërgojnë Kosovën në një Kampionat Evropian ose Kupë Bote.
“Kualifikimi për një Kupë Bote ose Kampionat Evropian për Kosovën do të ishte i pabesueshëm. Kemi kaq të rinj, duam t’u tregojmë atyre: Po, është e mundur, mund të jesh shqiptar nga Kosova dhe të arrish diçka në jetë”, ka përfunduar Demaku./Telegrafi/