Shqipëria nis aventurën në Ligën e Kombeve, përballë Bjellorusisë në “Air Albania”

Kombëtarja shqiptare sonte nis zyrtarisht aventurën në edicionin 2026/27 të UEFA Nations League, teksa në stadiumin “Air Albania” pret Bjellorusinë. Sfida e parë e Grupit C1 zhvillohet nga ora 20:45, ndërsa kjo do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare e trajnerit të ri Rolando Maran në stolin e kuqezinjve.

Shqipëria është pjesë e Ligës C, në një grup ku përveç Bjellorusisë ndodhen edhe Finlanda dhe San Marino. Kuqezinjtë vijnë në këtë kompeticion pas rënies nga Liga B, ndërsa synimi është rikthimi sa më shpejt në nivelet më të larta të Nations League.

Për Maranin, kjo është sfida e parë zyrtare në krye të Shqipërisë. Trajneri italian e ka vlerësuar Bjellorusinë si një skuadër kompakte dhe të fortë, por ka theksuar se ekipi i tij është përgatitur mirë dhe ka parë dëshirë e përkushtim gjatë stërvitjeve.

Në përballjet e mëparshme, Shqipëria ka një bilanc pozitiv ndaj Bjellorusisë. Dy ekipet janë përballur shtatë herë zyrtarisht, me tri fitore për Shqipërinë, dy për Bjellorusinë dhe dy barazime, ndërsa golavarazhi është 10:10. Përballja e fundit mes tyre përfundoi me fitoren 3:2 të kuqezinjve në Nations League në nëntor 2020.

Në prag të ndeshjes, Shqipëria ka marrë edhe një lajm pozitiv me rikthimin e Kristjan Asllanit në stërvitje, ndërsa Klisman Cake nuk është i gatshëm për këtë sfidë për shkak të procesit të rikuperimit.

Pas përballjes me Bjellorusinë, Shqipëria do të udhëtojë për t’u përballur me San Marinon më 29 shtator, ndërsa më 3 tetor do të luajë në transfertë ndaj Finlandës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *