Kombëtarja e Kosovës në futboll ka shënuar fitore të thellë në ndeshjen e rëndësishme ndaj Qipros, duke e ruajtur vendin e dytë në Grupin 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
“Dardanët” triumfuan 5:1 ndaj qipriotëve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Më meritori për këtë fitore ishte sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi që kontribuoi me dy gola dhe dy asistime.
Në fakt, serinë e golave e hapi Florent Muslija me një gol të bukur ë minutën e 22-të. Rrudhani dyfishoi shifrat në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.
“Dardanët” e nisën furishëm edhe pjesën e dytë me golin e Rashanit. Vedat Muriqi u përkujdes për golin e katërt në minutën e 52-të.
Qipriotët treguan shenja jete në minutën e 81-të me golin e Roberge, por që ishte e tëra nga ta.
Vedat Muriqi vulosi epilogun përfundimtar me gol në minutën e 84-të.
Kosova mbyll rrugëtimin në Ligën e Kombeve në pozitën e dytë me nëntë pikë, Qipro ka pesë pikë në vendin e tretë.