Ylli triumfon ndaj Bashkimit, Prishtina sigurt ndaj Trepçës

Golden Eagle Ylli ka mundur Bashkimin me rezultat 91:77 (25:12, 21:31, 22:19, 23:15), në kuadër të javës së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Një nga ndeshjet më interesante ishte parashikuar dueli në Suharekë. Vendasit e filluan shumë mirë ndeshjen, duke qenë shumë më të mirë në çerekun e parë, që e fituan 25:12. Por, Bashkimi nuk kishte udhëtuar për tu dorëzuar dhe këndellet në periudhën e dytë, duke e fituar 21:31, për të shkuar në pushim me rezultat 46:43 për suharekasit.

Perioda e tretë ishte më e barabartë, 22:19, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 68:62. Në 10 minutat e fundit, Ylli u tregua skuadër më e vëmendshme dhe thelloi edhe më shumë epersinë e krijuar, duke fituar çerekun e fundit 23:15, për të triumfuar në fund 91:77, që ishte fitorja e dytë radhazi në elitë, derisa prizrenasit kanë një fitore dhe një humbje.

Te Golden Eagle Ylli u dalluan Valon Bunjaku me 22 pikë, 5 kërcime dhe 13 asistime, Samir Zekiqi me 20 pikë e 6 kërcime dhe Cody John me 19 pikë, kurse te Bashkimi më të dalluarit ishin Shaq Carter me 16 pikë e 12 kërcime, Musab Mala me 17 pikë, 8 kërcime e 8 asistime dhe Sean Hoehn me 17 pikë.

***

Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 94:76 (26:15, 27:16, 19:17, 22:28), në kuadër të javës së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Prishtina e nisi ndeshjen më mirë, duke treguar nga fillimi se ka hyrë për fitore dhe fitoi çerekun e parë 26:15, derisa me lojë të mirë vazhdoi edhe në periudhën e dytë, duke fituar 27:16, për të shkuar në pushim me epërsi 53:31.

Epërsia e lartë që u krijua në pjesën e parë ishte e mjaftueshme për Prishtinën, që arriti të ruajë epërsinë e krijuar dhe të triumfojë në fund. Perioda e tretë ishte më e barabartë, 19:17, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 72:48. Në 10 minutat e fundit mysafirët ishin më të mirë, 22:28, megjithatë, Sigal Prishtina triumfoi me rezultat 94:76.

Pikë dyshifrore te Prishtina shënuan Arian Qallaku 14, Altin Morina 13, Meriton Ismaili 12, Fisnik Rugova 11, Dion Haxhosaj 11 dhe Arian Mehmeti 10, kurse te Trepça tre basketbollistë shënuan nga 14 pikë: Valdrin Haxhiu, Ramadan Zekiqi dhe Mojeed Ewuosho, kurse Kalin Fisher shtoi 13.

Sigal Prishtina ka një fitore dhe një humbje, ndërsa Trepça dy humbje në dy ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *