Kosova U21 ka arritur fitore minimale me rezultat 1-0 ndaj Izraelit në udhëtim falë një super goli të shënuar nga Milot Avdyli.
‘Dardanët’ u ballafaquan në këtë takim me izraelitët në një ndeshje e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Euro 2025 që do të mbahet në Sllovaki.
Golin e avantazhit dhe atë të tri pikëve për Kosovën, Milot Avdyli e shënoi në minutën e 11-të me një gjuajtje fantastike nga distanca.
Një tjetër rast të mirë shënimi Kosova e pati me anë të Etnik Brrutit, i cili në minutën e 22-të e detyroi portierin vendas që të intervenojë.
Edhe në pjesën e dytë ishte Kosova ajo që u karakterizua me lojë më të mirë, duke mos u zmbrapsur pavarësisht epërsisë së hershme të krijuar.