Tri ndeshje interesante sot në Superligë: Ballkani dhe Drita synojnë fitoret e radhës, Prishtina këndelljen

Superliga e Kosovës vazhdon këtë vikend me ndeshjet e javës së 30-të, që hapet sot me tri ndeshje në program për t’u zhvilluar.

Lideri i tabelës dhe kampioni në fuqi, Ballkani, do të luajë ndaj Feronikelit ’74 në “Rexhep Rexhepi”.

Therandasit, që po luftojnë për titullin e tretë radhazi të kampionit, hyjnë në këtë ndeshje pas fitores ndaj Lirisë javën e kaluar. Ballkani ka 56 pikë.

Në anën tjetër, “Nikli” po synon që të largohet nga pozita e barazhit, në të cilën ndodhet momentalisht me 30 pikë të grumbulluara. Skuadra nga Drenasi luajti baras javën e kaluar me Prishtinën.

Skuadra tjetër që po synon titullin e kampionit këtë sezon, Drita, do të jetë nikoqire e Lirisë. Gjilanasit kanë 54 pikë dhe ndodhen në pozitën e tretë në tabelë.

“Intelektualët” do të hyjnë në këtë ndeshje edhe më të motivuar, duke marrë parasysh fitoren xhiron e kaluar ndaj Llapit.

Në anën tjetër, Liria veç është e përshendetur nga elita – duke u renditur e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të grumbulluara.

Përballja tjetër për ditën e sotme do të luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, mes Prishtinës dhe Gjilanit.

Prishtinasit nuk dinë për fitore që tri ndeshje radhazi në Superligë, ku kanë regjistruar tri barazime. Skuadra “bardhekaltër” është e pesta në tabelë me 40 pikë.

Në anën tjetër, gjilanasit po synojnë që t’i ikin edhe më tëj pozitës së barazhit dhe të vazhdojnë me rezultate pozitive, pas fitores ndaj Fushë Kosovës javën e kaluar.

Gjilani është i shtati në tabelë me 30 pikë të grumbulluara.

Kujtojmë se të tri ndeshjet janë të planifikuara për t’u zhvilluar nga ora 15:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *