Manchester City do të mbrojë titullin kampion, ndërsa Norwich City do të rikthehet sërish në Championship.
Këto janë verdiktet që ka dhënë Superkomjuteri në Angli, i cili ka stimuluar rezultatet e mundshme të 38 javëve të Premier Ligës së sezonit 2021-2022.
Sipas llogarive të tyre, Arsenali do t’i dënojë tifozët e vet me një tjetër sezon të vështirë, duke u renditur në vend të 7-të dhe përjetuar një tjetër sezon jashtë Ligës së Kampioneve.
Por, ka lajme të mira për Chelsea. Kampionët e Evropës do të jenë rivalët kryesorë të “Qytetarëve” dhe do të renditen në vend të dytë.
Ndërkohë që Liverpooli parashikohet që për të dytin sezon radhazi ta mbyllë i treti, por Tottenhemi, Leicesteri dhe Arsenali do të mungojnë sërish në katërshen e parë.
Manchester United do të rrëshqasë nga kreu pavarësisht se ka bërë dy goditjet më të rëndësishme të merkatos deri tani në Angli: Jadon Sancho e Raphael Varane.
Gjithsesi, “Djajtë” do të sigurojnë biletën e fundit që të dërgon në Champions. Skuadrat që superkompjuteri rendit në tri vendet e fundit të klasifikimit janë ekipet e Brentford, Watford dhe Norwich City.
Të tria skuadrat që u rikthyen në Premier Ligë këtë sezon, parashikohet që të luajnë sërish në Championship gjatë 2022-2023.