Sokoli: Fillimisht Liga Unike Kosovë – Shqipëri, e pastaj “Superliga ballkanike”

Padyshim që formimi i Superligës evropiane ka shkaktuar një “tërmet” në botën e futbollit.

Kjo ka ndikuar edhe te kroatët, të cilët janë frymëzuar të krijojnë ligë të re me skuadrat nga Ballkani.

Bëhet fjalë për Superligën ballkanike në futboll, e cila sipas tyre, do të përbëhej nga dy divizione me nga 16 skuadra.

Ndeshjet parashihen të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, dhe katër skuadrat e fundit të divizionit të parë bien poshtë, ndërsa katër skuadrat e para të divizionit të dytë ngjiten lartë.

Sipas kësaj ideje nga kroatët, në këtë kampionat do të merrnin pjesë skuadrat nga Kroacia, Rumania, Greqia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Bosja e Hercegovina, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.

Trajneri i mirënjohur shqiptar, Bylbyl Sokoli e ka mbështetur në parim idenë e krijimit të Superligës ballanike në futboll.

Megjithatë, sipas tij, fillimisht duhet të krijohet Liga Unike mes skuadrave nga Kosova dhe Shqipëria.

“Mendoj se është koha që futbolli të ketë ndryshime në organizim, por duhet t’i matim cilat janë interesat tona, duhet t’i kemi parasysh interesat tona. Nëse është pjesë e interesit tonë, duhet të jemi pjesë e saj”, ka thënë Sokoli për FrontOnline, duke vazhduar:

“Bashkimi i dy apo më shumë ligave është i lejueshëm, por fillimisht duhet të ketë bashkim Kosovë – Shqipëri në futboll, e pastaj në Ballkan”.

Se pse duhet fillimisht krijuar Liga Unike në futboll mes Kosovës dhe Shqipërisë, këtë e tregon “Profa”.

“Është obligimi ynë kombëtar të kemi Ligë Unike dhe për shkak të ngritjes së cilësisë dhe tregut më të madh. Këto faktorë grumbullojnë cilësi dhe kështu do të kishim dy apo tre përfaqësuesë në Superligën ballkanike”, deklaroi Bylbyl Sokoli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *