Sermaxhaj: Nëse kampionati nuk rifillon para 15 qershorit me gjasë mund të anulohet

Superliga e Kosovës në futboll dhe asnjë aktivitet tjetër sportiv në vend nuk do të rifilloj para 15 qershorit.

Kështu e ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia mbrëmë në një deklaratë për një medium në Kosovë.

Ai ka thënë se aktivitetet sportive dhe kulturore do të rikthehen në fazën e tretë të lehtësimi të masave ndaj Covid-19, pra me 15 qershor.

Lidhur më këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, Gazeta inFokus ka kontaktuar trajnerin dhe analistin sportiv kosovar, Genc Sermaxhajn.

Sermaxhaj ka thënë se nëse kampionati do të rifillonte në mes të muajit maj do të kishte mundësi të përfundonte me 20 korrik.

Ai shtoi se nëse futbolli rikthehet me 15 qershor siç ka deklaruar ministri Vitia, atëherë me gjasë do të jetë e vështirë të përfundoj me kohë.

“Sikur kampionati të fillonte në mes të muajit maj sigurisht se do të kishte mundësi shumë të madhe që ta përfundonim me 20 korrik, në datën e dhënë nga UEFA. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që garat të rifillojnë me 15 qershor me shumë gjasë do të jetë tejet e vështirë që ndeshjet të përfundohen deri me 20 korrik, ngase përveç ndeshjeve kampionale, ka edhe ndeshje të Kupës dhe do të ketë vështirësi”, tha trajneri i grupmoshave të reja të klubit të Dritës.

31 vjeçari u shpreh se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët në mes FFK-s dhe MSH-së që kampionati të rifilloj në muajin maj.

“Ndoshta do të gjendet një gjuhë e përbashkët në mes FFK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të bëjnë të mundur që kampionati të rifilloj në muajin maj, gjithmonë duke shtuar kujdesin dhe organizimin sa më të mirë kundrejt ndonjë prekje eventuale me Covid-19”, deklaroi Sermaxhaj.

Për fund analisti kosovar tha se nëse kampionati nuk rinisë me herët se 15 qershor me gjasë mund të anulohet ose të bëhet ndonjë zgjidhje tjetër.

“Nëse kampionati nuk arrin të filloj me herët se 15 qershor me shumë gjasë mund të anulohet ose të behet ndonjë zgjidhje tjetër përmes ndryshimit të sistemit të lojëve që ato të fillojnë me 15 qershor e të mbarojnë me 20 korrik”, përfundoj Genc Sermaxhaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *