Sahiti: Ekziston mundësia që lojtarët t’i bashkohen Kosovës edhe nëse kanë luajtur te Zvicra U-21

Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti ka deklaruar se ende ka mundësi që lojtarët që janë pjesë e Kombëtares së Zvicrës të përfaqësojnë “Dardanët”.

Dje, në listën e lojtarëve të ftuar te Zvicra U21, ishte edhe portieri Amir Saipi, që në të kaluarën ishte shumë pranë Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, lajmi.net, ka kontaktuar drejtorin e Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, i cili tha se lojtarët zakonisht duan fillimisht të jenë pjesë e Kombëtareve ku kanë nisur karrierën, pastaj pasi t’i mbushin 21-vjeç marrin vendimin përfundimtar.

“Është një situatë interesante tek këta futbollistë derisa sa të vijë koha që të luajnë për ekipin A. Ne gjithmonë iu japim ofertë secilit lojtarë që të jetë pjesë e Kosovës, por ata në momentin kur janë në atë vendin ku kanë filluar karrierën, atëherë ata duan të jenë pjesë deri në grupmosha, pastaj marrin vendimin përfundimtar”, deklaroi fillimisht ai.

Media e njohur zvicerane Blick.ch, më herët kishte postuar një lajm se lojtarët që kanë bërë paraqitje zyrtare me Zvicrën U21, nuk iu lejohet të përfaqësojnë një Kombëtare tjetër, por Sahiti theksoi se mundësia që lojtarët t’i bashkohen Kosovës ekziston nëse vetë futbollistët dërgojnë kërkesën në FIFA.

“UEFA as FIFA nuk jep përgjigje të saktë pa e dërgu kërkesën, nuk mundet të anulohet. E para duhet të bëhet kërkesa, është e drejtë ekskluzive e lojtari ta bëjë kërkesën edhe mandej e shqyrton FIFA”.

“Mundësia që lojtarët të na bashkohen ekziston, pavarësisht që ka dal një shkrim se nuk iu lejohet, por kemi raste që edhe pas moshës 21-vjeçare që kanë bërë paraqitje me A, janë bërë pjesë e një Kombëtare tjetër, këto situata ne i dimë, prandaj nuk është për me u shqetësuar, tash mbetet të shihet, nuk mund të them se është e saktë pa u dërgu oferta dhe pa kthyer përgjigje FIFA”.

Pra, sipas kësaj deklarate të Sahitit, shumë yje kosovarë, si Andi Zeqiri, Kastriot Imeri, Bastien Toma, Amir Saipi që momentalisht janë pjesë e Zvicrës, por edhe nga Kombëtaret e tjera, siç është rasti i Mërgim Berishës nga Gjermania U21, nëse duan ta përfaqësojnë Kosovën, atëherë shanset nuk janë ende të mbyllura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *