Reagimi qesharak i dy tifozëve të Arsenalit, pas humbjes dramatike

Dy tifozët e Arsenalit të famshëm shkaku i kanalit në Youtube AFTV, Troopz dhe DT, dolën nga dhoma me mosbesim gjatë një transmetimi direkt, pasi klubi i tyre i zemrës e humbi ndeshjen e sotshme kundër Brightonit shkaku i një goli të shënuar në momentet e fundit të ndeshjes.

Brightoni i “rrëmbeu” tre pikët e ndeshjes kundër Arsenalit, duke e shënuar golin e fitores në sekondat e fundit të ndeshjes. Fitorja me rezultat 2:1 ia jep Brightonit tre pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, ndërsa Arsenalit i dëmtohen edhe më shumë gjasat për kualifikim në Ligën e Kampionëve, transmeton GE.

Përderisa Arsenali ishte skuadra më e mirë në American Express Community Stadium, londinezët nuk arritën ta gjejnë golin deri në minutën e 68-të, kur shënoi Nicolas Pepe, pasi që goli i shënuar nga Pierre Emerick-Aubameyang 15 minuta më parë ishte anuluar shkaku i një pozite jashtë loje.

Festa e tifozëve të Arsenalit nuk zgjati shumë pasi që Brightoni arriti ta barazojë rezultatin vetëm shtatë minuta më vonë, kur një goditje e Lewis Dunk krijoi një rrëmujë në mbrojtjen e Arsenalit dhe e barazoi rezultatin.

Arsenali vazhdoi të luftojë për ta shënuar golin e fitores, megjithatë këtë gol e gjetën vendasit në sekondat e fundit të ndeshjes, kur golin e shënoi Neal Maupay. Ky gol shkaktoi një zënkë mes lojtarëve, pasi gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes.

E përveç zënkës në fushën e lojës, ai gol i Maupay shkaktoi huti edhe për dy tifozët e Arsenalit, Troopz dhe DT, të cilën s’mund ta besonin çfarë ndodhi. DT menjëherë ngrihet nga ulësja e tij dhe shan, duke e lënë të befasuar Troopz, i cili përsërit vazhdimisht: “Po gënjen, nuk kanë shënuar”.

Përveç tre pikëve të rëndësishme të humbura në këtë ndeshje për garën për dalje në Evropë, Arsenalit në këtë ndeshje iu vështirësua situata me lëndime të lojtarëve, pasi që Leno, njëri ndër lojtarët kyç të Topçinjve këtë sezon, u duk se pësoi lëndim serioz në gjurin e këmbës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *