Prishtina vazhdon rekordin e përsosur pas rinisjes së sezonit, mposht edhe Dukagjinin


Prishtina mori fitore me rezultat 4:1 në Fadil Vokrri kundër Dukagjinit, duke e vazhduar kështu rekordin e përsosur të fitoreve që nga rinisja e sezonit 2019/20. Me këtë fitore, bardhekaltrit ngrihen sërish në pozitën e dytë, me dy pikë më pak se liderja Drita.

Dukagjini, përkundër që mban pozitën e fundit në tabelë dhe i ka humbur tri ndeshjet e fundit në ligë rezultoi një kundërshtar më i fuqishëm për Prishtinën sesa që ishte vlerësuar gjatë pjesës së parë, duke arritur t’i rezistojë presionit të kryeqytetasve më mirë sesa kundërshtarët e fundit, raporton Gazeta Express.

Pas tri humbjeve radhazi, Dukagjini në fillim i rezistoi sulmit të vazhdueshëm nga ana e Prishtinës, duke u shpëtuar dy herë nga shtylla e portës.

Përkundër tentimeve të vazhdueshme dhe kërkimit të një penalltie në minutën e 27-të, Prishtina s’e gjeti golin deri në minutën e 30-të, kur shënoi sulmuesi në superformë Otto John, i cili u transferua në Prishtinë gjatë janarit.

Prishtina vazhdoi tentimet për ta gjetur edhe golin e qetësisë, mirëpo Dukagjini e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 430të të ndeshjes, falë golit të shënuar nga Altin Mërlaku.

Por, rezistencën që e bëri gjatë pjesës së parë, Dukagjini s’arriti ta përsërisë gjatë 45-minutëshit të dytë. Prishtina vazhdimisht tentonte ta gjente golin, që e arriti në minutën e 68-të përmes golit të shënuar nga Ahmed Januzi.

Meriton Korenica arriti ta thellojë rezultatin e ndeshjes, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Uka shënoi për ta dërguar rezultatin në 4:1. Kjo fitore bindëse bën që Prishtina ta ruajë pozitën e dytë edhe për këtë xhiro, ndërsa Dukagjini vazhdon të mbetet në pozitën e fundit në tabelë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *