Pas humbjes nga Luksemburgu, Kosova nuk e ka në dorë fatin e kualifikimit

Kosova ka rënë në vendin e fundit në grup pas humbjes së pësuar nga Luksemburgu, të enjten mbrëma në Prishtinë. Përfaqësuesja inferiore e Luksemburgut shokoi lojtarët e Kosovës duke i mposhtur me 10 pikë dallim, 99:89.

Kosova ka rënduar pozitën e parë sa i takon kalimit tutje në kualifikimet për Botërorin e basketbollit të vitit 2023. Tani rrezikon që garimin ta mbyllë në raundin e parë të parakualifikimeve, ku garojnë përfaqësueset më të dobëta evropiane. Kosova në fakt ka ende shpresa për të avancuar tutje, por fatin më nuk e ka në dorë.

“Nëse Luksemburgu mposhtet nga Islanda dhe Kosova fiton ndaj Sllovakisë, atëherë do të kualifikohen ‘dardanët’”, ka njoftuar FBK-ja pas ndeshjes.

Islanda të enjten fitoi 94:74 ndaj Sllovakisë. Islanda i ka 9 pikë dhe tashmë e ka fituar grupin dhe ka avancuar tutje. Luksemburgu, Sllovakia dhe Kosova i kanë nga 7 pikë.

Të shtunën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, fillimisht nga ora 16:00 takohen Luksemburgu dhe Islanda. Luksemburgu do ta kërkojë fitoren ndaj Islandës tashmë të kualifikuar. Vetëm nëse fiton Islanda, ndeshja Kosova – Sllovakia fiton në peshë. Kosova e Sllovakia takohen nga ora 19:00 dhe fituesi avancon tutje, me kusht që Islanda të fitojë ndaj Luksemburgut.

Moskalimi i këtij grupi do të ishte goditje e madhe për përfaqësuesen e Kosovës. Basketbolli në vend vazhdon të jetë shumë i popullarizuar. Po ashtu, edhe liga e mbushur me lojtarë të huaj po ofron rivalitet dhe ndeshje interesante. Por, mungesa e lojtarëve vendorë vazhdon të jetë brengë. Kjo po vërehet me grumbullimin e përfaqësueses.

Seleksionuesi Christos Marmarinos dhe stafi i tij kanë telashe për të formuar një 12-she me lojtarë cilësorë. Basketbollistët kosovarë pak po depërtojnë në Evropë, ndërsa numri i lojtarëve me rrënjë nga Kosova të rritur në Evropë është fare i vogël. Asnjë prej tyre nuk luan në nivel të lartë që të jetë opsion për Kosovën. Ndërkohë, në vend ka telashe me nxjerrjen e basketbollistëve cilësorë.

Dhe kjo sjell situatën që kalimi i raundit të parë të parakualifikimeve të jetë i varur nga Luksemburgu e Islanda.

Në ndeshjen e së enjtes te Kosova kanë funksionuar fare pak gjëra.

Divine Myles u dallua me 21 pikë, 7 kërcime e 5 asistime. Por ai, si të tjerët, dështoi në momente kyç. Myles është amerikan i natyralizuar. Dardan Berisha realizoi 12 pikë, ndërsa Erjon Kastrati një më shumë. Asnjëri prej lojtarëve të Kosovës nuk ishte në nivelin e synuar dhe kështu erdhi humbja nga përfaqësuesja inferiore e Luksemburgut.

“Dua të marr përgjegjësinë për këtë humbje. Gabimi im është se ekipi nuk ishte më agresiv, ashtu si kam pritur. Disa lojtarë u munduan, por disa të tjerë ishin plotësisht jashtë ritmit. Është dashur të jemi më agresiv, të bëjmë më shumë kërcime. Unë nuk mund të luaj për lojtarët, mund vetëm t’i motivoj ata. Nëse ata nuk janë të motivuar atëherë është gabimi im dhe përgjegjësia ime, nëse ata kanë menduar se nuk mund të garojnë në këtë nivel. Për ndeshjen tjetër do të mundohemi të gjejmë lojtarë që mund të luajnë në këtë nivel. Sigurisht do të ketë ndryshime”, ka theksuar selektori Marmarinos.

“Është dashur të jemi më agresiv dhe kjo i mundësoi kundërshtarit që të ketë më shumë kërcime, që na kushtoi. Zakonisht ekipi që ka më shumë kërcime edhe fiton. Besoj se është dashur ta fitojmë këtë ndeshje, por e kemi edhe një rast dhe besoj se në ndeshjen me Sllovakinë do të futemi të motivuar për të fituar”, ka theksuar Myles.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *