Nuk ka fitues në klasiken gjermane, Dortmundi dhe Bayerni ndajnë pikët

Bayern Munich ka luajtur baras me rezultat 1-1 në udhëtim ndaj Broussia Dortmundit në kuadër të javës së 12-të në Bundesliga.

Golin e avantazhit për Dortmundin në këtë sfidë e realizoi Jamie Gittens i cili shënoi për 1-0 në minutën e 27-të.

Bayerni mori një goditje të rëndë kur në mintuën e 33-të Harry Kane u largua nga loja i lënduar dhe në vend të tij u fut Thomas Muller.

Muller në fakt ishte protagonist për të keq tek bavarezët, pasi ai shpërdoroi një rast të mirë shënimi për ta barazuar ndeshjen.

Reprezentuesi gjerman gaboi në minutën e 49-të kur gjuajtja e tij u prit për mrekulli nga portieri Gregor Kobel.

Marcel Sabitzer në minutën e 62-të pati mundësinë ta realizonte edhe golin e dytë për Dortmundin, por Neuer ia mohoi atë me një pritje të bukur.

Sidoqoftë, bavarezët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 85-të gjetën golin e barazimit me Jamal Musialan i cili realizoi për 1-1, që në fund ishte rezultati përfundimtar i takimit.

Pas javës së 12-të, Bayerni vazhdon si lider me 30 pikë të grumbulluara, shtatë më shumë se Eintracht Frankfurt në vendin e dytë që ka 23 sosh dhe nesër (e diel) luan ndeshjen e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *