Një muaj para ndeshjes vendimtare, forma e “dardanëve” nuk është më e mira

Vedat Muriqi nuk ka realizuar gol në katër ndeshjet e fundit. Milot Rashica nuk ka shënuar gol në Bundesligë që nga 14 dhjetori.

Një muaj para ndeshjes vendimtare, forma e futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës nuk është më e mira. Kosova më 26 mars luan në Shkup ndaj Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.

Nëse e fiton atë ndeshje, Kosova më 31 mars luan me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë në finale. Me fitore eventuale do të kualifikohej në Evropianin e këtij viti. Kosova është në seri prej tri humbjeve dhe sikur kjo të mos mjaftojë, disa prej lojtarëve më të mirë nuk po kanë shkëlqimin që tifozët e Kosovës shpresojnë që ta kenë ata, shkruan sot Koha Ditore.

Për ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore shumë pritet nga sulmuesi Muriqi. Ai së fundi ka shënuar më 25 janar në fitoren 2:0 të Fenerbahçes ndaj Bashakshehirit. Prej atëherë ka kompletuar katër ndeshje kampionale, ndërsa në dy ndeshje për Kupë pushoi.

Të dielën Muriqi siguroi penallti për Fenerbahçen në humbjen 3:1 nga Galatasaray në derbin më të madh turk. Paraqitja e tij nuk u vlerësua e mirë nga mediat turke.

“Është pritur që Vedati të shpërthejë në derbi, pas paraqitjeve jo bindëse në ndeshjet e kaluara. Por ai ka luajtur një prej ndeshjeve më joefikase të edicionit. Ishte i humbur në fushë në mbrojtjen e ngjeshur të Galatasarayt”, ka shkruar gazeta turke Fanatik.

Bilanci i Muriqit megjithatë vazhdon të jetë shumë i mirë. Ai ka 12 gola e pesë asistime në 22 paraqitje në kampionatin turk. Në Kupë ka një gol e një asistim në dy paraqitje. Në vjeshtë ishte i pandalshëm. Tifozët presin shumë edhe nga sulmuesi i krahut, Milot Rashica. Rashica për Werder Bremenin në Bundesligë ka shtatë gola e tri asistime në 19 paraqitje.

Për Kupë të Gjermanisë ka tri gola e një asistim në tri paraqitje. Derisa për Kupë shënoi së fundi më 4 shkurt, në Bundesligë nuk ka realizuar prej 14 dhjetorit, kur shënoi në humbjen 6:1 nga Bayerni. Werderi është në krizë të thellë rezultatesh dhe zërat për një largim të Rashicës në verë po shtohen vazhdimisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *