Llapi përforcohet me një futbollist meksikan

Llapi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me mesfushorin meksikan Francisco Rivera, i cili do t’i ndihmojë klubit nga Podujeva në debutim në kualifikime për garat evropiane.

Llapi, si fituese e Kupës së Kosovës, do ta kërkojë për herë të parë kualifikimin në një garë evropiane, në Europa Conference League, prandaj ka vendosur të përforcohet me futbollistë të huaj, raporton Gazeta Express.

26-vjeçari nga San Luis Potosi ka nënshkruar marrëveshje njëvjeçare me Llapin dhe do t’i bashkohet klubit në përgatitjet për kualifikime në garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian.

Në një njoftim në Facebook, Llapi shkroi: “Podujevë, 6 qershor 2021 – Skuadra e Llapit është përforcuar me mesfushorin nga Meksika, 26 vjeçarin Francisco Rivera. Sot klubi dhe futbollisti arritën akordin për bashkëpunim deri më 2022.”

26-vjeçari së fundmi ishte pjesë e Mineros de Zacatecas me të cilët pati 20 paraqitje, 4 gola e 1 asistim, ndërsa në total për këtë klub numëron gjithsej 71 paraqitje, 6 gola e 6 asistime.

Ai ka qenë edhe pjesë e klubeve, si CF América, Monagas SC, Alebrijes de Oaxaca, CF Atlante, Querétaro FC dhe Tiburones Rojos de Veracruz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *