Lazio përmbys Fiorentina-n dhe kryeveprën e Ribery (VIDEO)

Lazio-Fiorentina, ndeshje e vlefshme për javën e 28-të të Serisë A, është mbyllur me rezultatin 2-1.

Bardhekaltrit janë kthyer te fitorja në kampionat pas humbjes 3-2 të pësuar tri ditë më parë në fushën e Atalanta-s.

Sfida e Olimpico-s është zhbllokuar në minutën e 25-të nga një gol i mrekullueshëm i Franck Rivery.

37-vjeçari ka hyrë në zonën e rreptësisë pasi ka shmangur me lehtësi dy lojtarë të Lazio-s dhe ka mposhtur pa probleme Strakoshën, që nuk mund të bënte asgjë.

Kundërpërgjigja e vendasve ka ardhur në minutën e 67-të, me Immobile-n që është treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe ka çuar shifrat në 1-1.

Sulmuesi i Lazio-s kryeson renditjen e golashënuesve të Serisë A me 28 realizime, 5 më shumë se Cristiano Ronaldo ndjekësi i tij më i afërt.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, lacialët kanë gjetur golin e dytë me Luis Alberto-n në minutën e 83-të. Spanjolli ka realizuar me një goditje të saktë me të djathtën në limitet e zonës së rreptësisë.

Fiorentina e ka mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Vlahovic për një ndërhyrje të ashpër në minutën e 94-t.

Tri pikë të rëndësishme për ekipin e Inzaghi-t, që është kthyer të jetë katër pikë larg Juventus-it kryesues në renditje. Ndërkohë, Fiorentina mbetet në vendin e 13-të me 31 pikë, vetëm 6 larg zonës së ftohtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *