Ish-presidenti i FIFA-s: Infantino po përpiqet të më shkatërroj, por ndërgjegjja ime është e pastër

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, e ka akuzuar presidentin e tanishëm të shtëpisë së futbollit botëror, Gianni Infantino, se po përpiqet ta shkatërrojë reputacionin e tij, derisa ka këmbëngulur se e ka ndërgjegjen e pastër për punët e bëra në krye të kësaj organizate.

Blatter është duke u gjykuar bashkë me ish-shefin e UEFA-s, Michel Platini, nën akuzat për mashtrim, korrupsion dhe përvetësim.

Prokurorët kanë kërkuar 20 muaj burgim për të dy të akuzuarit, ndërsa vendimi pritet të merret në fillim të korrikut.

Duke folur për Infantinon, Blatter tha: “Dua ta pastroj nderin tim. Kur mbërrita unë, ne ishim një hiç. Ndërsa kur unë ika, ne ishim organizatë ndërkombëtare dhe e qëndrueshme ekonomikisht, kulturalisht dhe madje politikisht”.

“Nuk e di përse, por Infantinos nuk i pëlqej unë. Ai madje po mundohet të krijojë rast artificial kundër meje”.

Blatter shtoi: “Infantino dëshiron të më shkatërroj, edhe për shkak të gjithë asaj që kam bërë sepse ai mendon se po punon më mirë se unë”.

“Më duhet të them patjetër se jam prekur shumë. Po akuzohem se jam kriminel dhe hajn. Është absurde. Nuk e di pse e shoh veten në gjykatë dhe jam i sigurt se mijëra, për mos të thënë miliona futbollistë, nuk e kuptojnë po ashtu”.

Edhe Platini i ka mohuar akuzat dhe është zotuar se do të luftojë deri në instancën e fundit.

“Unë mbrohem kundër padrejtësisë. Por padrejtësia t’i lëndon shumë më shumë më të dashurit, familjen, fëmijët dhe nipërit, sepse ata nuk janë të përgatitur për t’u përballur me këtë”, tha Platini.

“Unë do të luftoj, jam në këtë luftë, dhe kjo është diçka të cilën gjithmonë e kam shijuar. Unë nuk dorëzohem, nuk do të dorëzohem dhe do t’i shkoj deri në fund”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *