FFK-ja konfirmon se e ka lajmëruar në UEFA e në FIFA rastin me Ministrinë

Federata e Futbollit të Kosovës ka zbuluar se e ka informuar UEFA-n dhe FIFA-n për katrahurën e krijuar ditëve të fundit mes saj dhe Ministrisë së Sportit.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj i ka treguar “Gazetës Express” se shtëpia e futbollit ndërkombëtar dhe ajo e futbollit evropian janë njoftuar për çdo detaj rreth kërkesës së FFK-së për licencim në Ministrinë e Sportit dhe për kërkesat që ia ka bërë Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, FFK-së, respektivisht komentet për plotësimin e disa pikave dhe kritereve që s’i ka përmbushur kjo e fundit.

E më pas, UEFA dhe FIFA do ta vlerësojnë nëse kishte ndërhyrje politike apo jo nga Ministria e Sportit.

“UEFA dhe FIFA janë njoftuar krejt, për çka do. Ne kemi aplikuar me kohë dhe na janë kërkuar komente shtesë. E tash, dy shtëpitë më të mëdha të futbollit do ta vlerësojnë nëse kishte ndonjë ndërhyrje eventuale, nëse ka ndonjë kërkesë pa bazë nga ky Komision”, deklaroi Hodaj për “Express”.

Ai shprehet optimist se në fund FFK-ja do të licencohet pasi nuk sheh arsye që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Federatat i licencon Ligji, e jo njerëzit që punojnë aty. Ne e kemi një afat, të cilin do ta respektojmë dhe besoj se gjithçka do të shkojë në rregull, do të licencohemi”, përfundoi Hodaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *