FFK bën FC Prishtinën me fushë ndihmëse

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon t’u qëndrojë afër klubeve anëtare të saj, duke i mbështetur në forma të ndryshme, veçmas në përmirësimin e infrastrukturës sportive, në mënyrë që aktiviteti i tyre të zhvillohet pa pengesa dhe në kushte sa më optimale, thuhet në njoftimin e FFK-së, e cila ka prezantuar fushën ndihmëse të FC Prishtina në Bërnicë.

“FFK e ka ndihmuar FC Prishtina me fushën e stadiumit ndihmës në Bërnicë, duke ia siguruar barin artificial dhe pjesët e tjera të fushës.

Kësisoj, klubi bardhekaltër i kryeqytetit është bërë për herë të parë me fushën e saj stërvitëse, aty ku do t’i zhvillojë stërvitjet ekipi i parë, por edhe ekipet e tjera zinxhirë të grupmoshave.

Fusha tashmë është në dispozicion të klubit falë ndihmës së FFK-së, derisa është bërë një punë e shkëlqyeshme, e cila pa dyshim do të ndikojë edhe në aktivitetin e klubit dhe të talenteve të futbollit kryeqytetas.

Në kuadër të strategjisë së re të futbollit, FFK planifikon që të mbështesë edhe shumë projekte tjera të infrastrukturës, me qëllimin e vetëm që futbollistëve të rinj t’u ofrohet mundësia për ta treguar potencialin dhe talentin e tyre në fushën e gjelbër”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

E për këtë ndihmë drejtuesit e FFK-së i ka falënderuar klubi bardhekaltër në faqen e saj në Facebook, ndonëse vetëm dy ditë më herët kryetari i këtij klubi Remzi Ejupi kishte deklaruar për Express se nuk janë ndihmuar nga federata gjatë kohës së pandemisë, gjë të cilën më pas e demantoi FFK duke e paraqitur listën e përfitimeve të klubeve në fillim të edicionit, ku secili klub ishte mbështetur me nga 20 mijë euro.

“FC Prishtina, për herë të parë në historinë e klubit është bërë me fushën ndihmëse. Pas insistimit të madh të kryetarit të FC Prishtina, Remzi Ejupi, me vendim të ish-Qeverisë Haradinaj të muajit shkurt të vitit 2018, ishte ndarë parcela në shfrytëzim të klubit më të madh në vend, me lokacion në Bërnicë. Ndërkohë për implementimin e projektit i cili parasheh kompleks të mirëfilltë sportiv, FFK-ja dhe krerët e saj nuk kanë kursyer që të ndihmojnë FC Prishtinën, sikurse që kanë ndihmuar të gjitha klubet vendore me projektet e tyre infrastrukturore.

Për këtë gjë, FC Prishtina është mirënjohëse dhe falënderuese për të gjitha mjetet e destinuara për infrastrukturë e cila nesër do t’u shërbej dhe do t’u mbetët brezave të rinj”, thuhet në falënderimin e FC Prishtina për FFK-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *