Kombëtarja shqiptare mbylli dy takimet miqësore të muajit mars, atë ndaj Spanjës në Barcelonë ku përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të spanjollëve dhe atë ndaj Gjeorgjisë, e mbyllur në barazim 0-0.
Ditën e djeshme të gjithë lojtarët e grumbulluar kanë vazhduar programin e tyre, për t’u kthyer në skuadrat respektive për t’u angazhuar në ndeshjet e fundjavës në kampionatet përkatëse. Muaji prill dhe gjysma e muajit maj do të jetë një periudhë pushimi për ekipin kombëtar, për t’u rikthyer në kuadër të kompeticionit të Ligës së Kombeve. Ky kompeticion mes kombëtareve është përcaktuar që të ngrejë siparin në fillim të muajit qershor.
KALENDARI
Pas shortit të hedhur nga UEFA për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve 2022-’23, është përcaktuar edhe kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë në këtë kompeticion. Siç dihet tashmë, shorti e vendosi Shqipërinë në Grupin B2 së bashku me Izraelin, Rusinë dhe Islandën.
Fushata eliminatore do të nisë më 2 qershor 2022 ndaj Rusisë, por kjo e fundit është përjashtuar përkohësisht nga aktivitetet e UEFA-s, çka do të sillte një fitore në tavolinë për Shqipërinë dhe një lehtësi në këtë grup sepse lufta për vendin e parë do të bëhet mes tri skuadrave dhe jo katër. Atëherë, Shqipëria, Izraeli dhe Islanda pritet që të fitojnë në tavolinë me kombëtaren ruse dhe të ndajnë mes njëra-tjetrës vendin e parë në grupin 2 të Ligës B, shkruan panoramasport.
Katër ditë më pas, më 6 qershor 2022 Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Islandës, ndërsa më 10 qershor 2022, Kombëtarja do të presë Izraelin në shtëpi. Sfidat e këtij muaji do të mbyllen me ndeshjen e 13 qershorit me Shqipërinë që është përcaktuar të udhëtojë drejt Rusisë, ndeshje kjo që do të fitohet sërish pa u luajtur. Kështu, në muajin qershor Kombëtarja jonë do të luajë vetëm dy sfida.
PËRFITIMET
Përjashtimi i Rusisë sjell një avantazh shumë të madh në grupin 2 Liga B, aty ku ndodhet edhe Shqipëria. Tashmë me vetëm dy ekipe të tjera në garë për një vend, Kombëtarja e drejtuar nga Edi Reja do të ketë një rrugë akoma edhe më të shtruar për të tentuar vendin e parë që do të ngjiste Shqipërinë në Ligën A të këtij kompeticioni. Liga A do të sillte të ardhura edhe më të mëdha pasi përballjet do të ishin me kombëtaret më të mëdha në Europë, si Gjermania, Italia, Anglia, Holanda, Franca, Spanja apo Portugalia e Belgjika.
“EURO 2024” Ndërsa në lidhje me shansin që Kombëtarja shqiptare të kualifikohet në “Euro 2024” nga Liga e Kombeve, me formatin aktual të evropianit, Shqipëria pothuajse është e kualifikuar në “play off”-et në këtë kompeticion. Si? Me formatin aktual nga 10 grupet e kualifikueseve të europianit kalojnë dy vendet e para të çdo grupi për të formuar 20 ekipet që kualifikohen dhe katër të tjerat dalin nga “play off”-i i Ligës së Kombeve.
LIGA E KOMBEVE
Liga e Kombeve është e ndarë në katër liga, A, B, C, D. Çdo ligë ka nga katër grupe, përveç ligës D që ka dy grupe. Shqipëria është shortuar në Ligën B, Grupi 2. Mundësia për të shkuar në “play off” nga Liga e Kombeve është shumë e madhe. Nëse nga kualifikueset e europianit do të kalojnë 20 ekipe dhe ato do të jenë 16 skuadrat e Ligës A, që janë edhe kombëtaret e mëdha, atëherë 4 skuadrat e tjera do të jenë ato që janë pozicionuar më mirë në çdo grup të Ligës B, praktikisht vendet e para.
Por edhe pas kësaj mbeten edhe katër ekipe të tjera që do të shkojnë në “play off”, që sipas formatit aktual shkojnë vendet e dyta të grupeve në Ligën B. Kështu që edhe nëse Shqipëria nuk fiton grupin në Ligën e Kombeve me Izraelin dhe Islandën, edhe vendi i dytë në grup mund ta kualifikojë për në “play off”, duke marrë të qenë që Rusia është përjashtuar.
Cili skenar mund ta shmangë këtë? E vetmja mundësi që ky skenar të mos funksionojë është që një nga ekipet që pozicionohen në Ligën C apo D të Ligës së Kombeve të zërë vendin e parë apo të dytë në kualifikueset e europianit. Gjithsesi, në qershor 2022 UEFA do të publikojë rregulloren e plotë të kualifikueseve të “Euro 2024”.