Edon Zhegrova: Respekt për Partizanin, do të jepja maksimumin edhe nëse do të luaja kundër vëllait

Edon Zhegrova ishte ndër futbollistët e Baselit që e kërkoi me ngulm golin ndaj Partizanit në të dyja ndeshjet, por pavarësisht përpjekjeve të tij, në fund nuk ia doli dot.

Ylli i Kosovës në përfundim të ndeshjes, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, flet rreth përballjes me të kuqtë, duke iu gëzuar kualifikimit të skuadrës së tij.

GOLI – Në vijim të fjalës së tij, asi i Bazelit u ndal edhe te “fiksimi” për të shënuar gol, duke e konsideruar si një detyrë të çdo lojtari. Sipas tij, edhe ndaj vëllait kundërshtar në fushë do të tentonte të bënte të njëjtën gjë. “Po normal që u mundova të shënoj, sepse dua të jap maksimumin për ekipin.

Unë kam respekt për të gjithë lojtarët, por ky është futbolli, pasi edhe nëse do të luaja kundër vëllait tim, do të mundohesha të jepja po maksimumin”, pohoi më tej Zhegrova, i cili për fatin e tij të keq, ndaj Partizanit nuk ia doli të lërë dot shenjë me të paktën një gol.

PËRBALLË PARTIZANIT – Mesfushori tregon edhe për emocionet përballë një ekipi shqiptar dhe për më tepër përballë tifozëve shqiptarë. Ai shpreson që Partizani një ditë të arrijë në nivelet që të konkurrojë edhe në Europë. “Ishte me të vërtetë ndjenjë e mirë dhe po ashtu që pamë Shqipërinë dhe bashkatdhetarët tanë.

Partizani po ashtu është një ekip shumë i mirë dhe i dëshiroj gjithë të mirat dhe shumë suksese. Ndoshta me ne e patën të vështirë, por nëse do të japin maksimumin, sigurisht do të kenë mundësi të kualifikohen në të ardhmen”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Edon Zhegrova, i cili është një nga lojtarët më premtues për momentin, teksa është duke luajtur sezonin e tij të katërt me skuadrën zvicerane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *