Edhe zyrtarisht, Shqipëria mbetet pa trajner

Pozita e përzgjedhësit të Kombëtares së Shqipërisë ka mbetur vakante pas përfundimit të kontratës mes Edoardo Rejës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ndeshja me Armeninë praktikisht ishte e fundit për italianin 77-vjeçar dhe pak ditë më parë i përfundoi edhe kontrata duke dalë kështu një trajner i lirë, në pritje të bisedimeve me presidentin e FSHF-së Armand Duka.

KAPITULLI I REJËS

Trajneri i dytë më i vjetër në botë, pas Mirkea Luçeskut që është disa muaj më i madh në moshë, u konfirmua në bankinën e Shqipërisë në prill të vitit 2019, ku zëvendësoi të larguarin Kristian Panuçi, që e mbylli aventurën në Tiranë pas humbjes 0-2 me Turqinë në “Loro Boriçi”, ku i pranishëm në stadium ishte edhe pasuesi i tij, Edoardo Reja që u zyrtarizua pak kohë më pas.

Reja e ka drejtuar Shqipërinë në 38 ndeshje në total, ku ka arritur të regjistrojë 14 fitore, 9 barazime dhe 15 humbje, me një golaverazh të përgjithshëm 46 të shënuar dhe 45 të pësuar.

Tekniku ka aplikuar në pothuajse të gjitha ndeshjet skemën 3-5-2 dhe për 3 vite e 7 muaj në krye të stolit ka provuar një numër të lartë lojtarësh që e kalon shifrën 40.

Suksesi i tij i parë ishte në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria u ngjit nga Liga C në B. Gjithashtu në kualifikueset e Botërorit 2022, ai grumbulloi më shumë pikë se çdo trajner tjetër në grupe (18), por gjithsesi në fund u rendit i treti në grup pas Anglisë dhe Polonisë.

Ndërkohë kompeticioni i fundit që ishte Liga e Kombeve e këtij sezoni, rezultoi një dështim për teknikun italian, ku Shqipëria u rendit e fundit në grup duke mos fituar asnjë takim.

RINOVIMI

Gjatë miqësoreve të fundit, në konferencat për shtyp të trajnerit apo edhe në intervistat e kreut të FSHF-së Armand Duka, thuhej se Edi Reja është akoma në kontratë dhe kur ajo të mbarojë do të ulemi dhe do të flasim.

Kështu të paktën u tha nga të dyja palët. Gjithashtu italiani, në daljen e fundit në konferencë pas Armenisë ia kaloi topin Dukës:

”Shpresoj që bileta ime të jetë vajtje-ardhje, kur Duka të kthehet nga Katari do të ulemi të bisedojmë, topin e ka ai tani”, tha Reja.

Ndërsa, tani jemi në një kohë që trajnerit i përfundoi kontrata dhe duhet të njoftohemi se çfarë do të ndodhë me të: do të rinovojë apo do të kemi një trajner tjetër që do të drejtojë Shqipërinë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *