Çfarë thuhet në ftesat e falsifikuara për tre futbollistë afrikanë nga Kosova

Pasi u bë e ditur se në Ambasadën e Kosovës në Senegal janë dërguar tri shkresa të falsifikuara – ku kërkohej të pajiseshin tre lojtarë afrikanë me të gjitha dokumentet për të ardhur në Kosovë – Federata e Futbollit e Kosovës i ka publikuar të tria shkresat, të cilat mund t’i lexoni të përkthyera në shqip më poshtë.

Federata e Futbollit e Kosovës ka sqaruar se në Senegal dhe në Ganë janë dërguar disa shkresa të falsifikuara, në emër të FFK-së dhe Drenicës, kinse këto dy palë po kërkojnë t’i rekrutojnë tre futbollistë afrikanë.

Ambasadori i Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi, e kishte njoftuar FFK-në se në ambasadën të cilën ai e drejton janë paraqitur shkresa nga KF Drenica dhe Federata e Kosovës si ftesa për dy futbollistë senegalezë, Mbengue Mbaye Niass dhe Sarr Daour, dhe një ganez, Baffour Yiadom Jonathan Gyau, për të ardhur në Kosovë.

“I/e nderuar, pas shume diskutimeve me bordin e klubit, ne duam ta ftojmë zyrtarisht Zotëri Baffour Yiadom Jonathan Gyaun me numër pasaporte G2784553 nga Gana për provat tona të hapura trijavore, që do të mbahen në stadiumin Bajram Aliu”, thuhet në njërën nga shkresat.

“Ne u kërkojmë autoriteteve të Kosovës t’ia japin këtij lojtari të gjitha dokumentet e nevojshme për të dalë nga vendi sepse provat do të fillojnë nga 29 qershori dhe do të zgjasin tre javë”.

“Menaxhmenti i KF Drenicës do të kujdeset për biletën e fluturimit të këtij lojtari dhe për mirëqenien e tij, deri kur të nënshkruhet kontrata adekuate me klubin”.

“Lojtari do të akomodohet në hotelin Adria International në Skënderaj të Kosovës, për të qenë sa më afër kompleksit tonë, deri sa t’ia kompletojmë kontratën”.

E njëjta shkresë është dërguar vetëm me emrat dhe të dhënat e futbollistit të ndryshme edhe për dy senegalezët.

FFK-ja e ka bërë të qartë se këto shkresa janë të falsifikuara dhe ka kërkuar nga organet e hetuesisë ta zbardhin këtë rast, përderisa u kërkoi edhe ambasadave të tjera ta kontaktojnë Federatën nëse marrin shkresa të tilla.

“Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se ditët e fundit në ambasadën e Kosovës në Senegal janë paraqitur disa shkresa të falsifikuara në emër të KF ‘Drenica’ dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për kinse ftesë të futbollistëve afrikanë (senegalez dhe ganez) për të luajtur në Kosovë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“FFK është informuar për këto shkresa të falsifikuara nga ambasadori i Kosovës për Senegal dhe shtetet e tjera afrikane, Ramadan Gashi, andaj kërkon nga organet e hetuesisë që të zbardhin këtë rast, derisa fton edhe ambasadat tona në vendet e tjera që për çdo shkresë të tillë të mundshme ta informojnë menjëherë FFK-në dhe ta konfirmojnë vërtetësinë e tyre në administratën e FFK-së”.

“FFK shpreson se organet e hetuesisë në bashkëpunim me institucionet e vendeve nga ku paraqiten këto raste t’i gjejnë mashtruesit e tillë, në mënyrë që të mos abuzohet me emrin e klubeve kosovare dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *