“Agjërimi” i Atdhe Nuhiu te APOELI: Statistikat e tij tregojnë se nuk po kalon formë të mirë

Atdhe Nuhiu është ftuar përsëri te Përfaqësuesja A e Kosovës, pavarësisht se nuk po gëzon një formë të mirë në vitet e fundit.

Sulmuesi shtatlartë nga 11 shtatori është pjesë e skuadrës nga Qipro, Apoel Nicosias. Në sezonin e rregullt në elitën e futbollit të Qiprosë, Nuhiu ka regjistruar 16-të paraqitje nga 26 xhiro sa zhvillohen atje.

Nga 16-të paraqitje, 31-vjeçari ka qenë dhjetë herë në formacionin e titullarëve, kurse gjashtë herë është inkuadruar si zëvendësues, duke luajtur në total 915-të minuta. Ai gjithashtu ka qenë edhe tri herë tjera i përfshirë në skuadër, duke qëndruar vetëm në bankën rezervë, shkruan Zeri.info.

Apoel Nicosia deri më tani ka zhvilluar tri ndeshje në fazën e “play-out”-it, teksa Nuhiu në të tri ndeshjet ka luajtur si zëvendësues, duke u paraqitur në total 25 minuta.

Nga të gjitha këto ndeshje, reprezentuesi i Kosovës nuk ka arritur asnjëherë të gjejë rrugën për te goli, teksa ka regjistruar vetëm një asistim.

Atdhe Nuhiu golin e fundit e ka shënuar më 24 shtator 2020, kur Apoel Nicosia u takua me skuadrën boshnjake, Zrinjski Mostar, në raundin e tretë kualifikues për Ligën e Evropës.

Që nga debutimi i tij më 24 mars të vitit 2017 te Përfaqësuesja A e Kosovës, Nuhiu ka regjistruar 19-të paraqitje me “Dardanët”, duke shënuar tre gola.

Goli i tij i fundit u shënua më 14 nëntor të vitit 2019, ndaj Republikës së Çekisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Atdhe Nuhiu është ftuar nga Bernard Challandes edhe për ndeshjet e marsit, të cilat Kosova i luan ndaj Lituanisë (24 mars/miqësore), Suedisë (28 mars/ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror) dhe Spanjës (31 mars/ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *