Kosova nis sonte aventurën në Ligën B, “Dardanët” përballen me Irlandën

Sonte është nata e shumëpritur për Kombëtaren e Kosovës. “Dardanët” do ta nisin edicionin e ri të Ligës së Kombeve me përballjen ndaj Irlandës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Grupit B3 të Ligës B të UEFA Nations League.

Përzgjedhësi Franco Foda dhe futbollistët e tij e kanë bërë të qartë se nuk kanë frikë nga kundërshtari. Një ditë para ndeshjes, Foda konfirmoi se Vedat Muriqi do të jetë kapiten i Kosovës, ndërsa Mërgim Vojvoda kapiten i dytë.
Në konferencën për media, futbollisti Leon Avdullahu deklaroi se Kosova e ka merituar respektin e Irlandës dhe se skuadra është e përgatitur për një përballje fizike dhe të vështirë.

Në anën tjetër, trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka vlerësuar zhvillimin e Kosovës dhe ka paralajmëruar kujdes të veçantë ndaj Muriqit. Irlanda e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri”, ndërsa skuadra irlandeze e nis këtë edicion me synimin për të marrë rezultat pozitiv në Prishtinë.

Për Kosovën, kjo përballje vjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimit të saj ndërkombëtar. “Dardanët” synojnë ta nisin me rezultat pozitiv rrugëtimin në Ligën B, në një grup ku bëjnë pjesë edhe Austria dhe Izraeli.

Drejtësinë në këtë përballje do ta ndajë gjyqtari belg Lawrence Visser, me bashkëkombësit Ruben Wyns dhe Michele Seeldraeyers si asistentë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *