Juventusi nuk e ka ndërmend të heq dorë nga Paul Pogba.
Klubi italian po mundohet ta rikthejë në Torino mesfushorin francez.
Kampioni i botës me Francën po e kalon muajin e fundit të kontratës me Manchester Unitedin, prej të cilit do të largohet gjatë verës.
E ndërkohë, 29 vjeçari është në kërkim të klubit të ri.
Qe një kohë të gjatë, interesim për të kishte shfaqur Real Madridi, por muajve të fundit në garë është futur edhe Paris Saint-Germaini.
Sidoqoftë, në ditët e fundit favorit për ta transferuar Pogban është bërë ish-klubi i tij, Juventus.
Gazetari sportiv italian, Alfredo Pedulla raporton se “Bianconeri” e kanë përmirësuar ofertën për yllin francez.
Juve në fakt ia ofron Pogbas një rrogë vjetore prej 8 milionë eurosh, plus 2-3 milionë nga bonuset.
Lojtari po i kërkon 11 milionë në vit, kështu që kjo ofertë mund të jetë e kënaqshme për mesfushorin ofanziv.
Trajneri Massimiliano Allegri do ta mirëpriste Pogban në Juventus.