Granit Xhaka do të rikthehet në Londër sot, për t’u bashkuar me ekipin e Arsenalit, pas dy javëve ngujimi në Zvicër dhe një mali kritikash për refuzimin e vaksinës kundër Covid-19.
Xhaka u infektuar me koronavirus në fillim të shtator, në ditën kur Kombëtarja e tij Zvicra përballej me Greqinë në një ndeshje miqësore para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës, raporton Gazeta Express.
Si pasojë, mesfushori nga Kosova mungoi në ndeshjet e Zvicrës dhe në fitoren e parë të Arsenalit në Premierligë kundër Norwich City të shtunën.
Tani, pasi qëndroi dy javë i mbyllur, ai mund të udhëtojë drejt Londrës për t’u bashkuar me ekipin e Mikel Artetës në përgatitje për ndeshjen e fundjavës kundër Burnley në Premierligë.
Mesfushori i Arsenalit, me prejardhje nga Podujeva, kishte dalë pozitiv në testin për Covid-19 më 2 shtator dhe ishte ngujuar menjëherë. Por infektimi i tij me Covid-19 zbuloi se ai nuk kishte pranuar ta merrte vaksinën për mbrojtje nga virusi, duke nxitur kritika të mëdha nga të gjitha anët.
Xhaka, i cili i ka bërë 98 paraqitje për Zvicrën në karrierë, ishte lojtari i vetëm i pambrojtur plotësisht në pikëpamjen shëndetësore në ekipin zviceran, sipas Adrian Arnold, shefit për media në Federatën e Futbollit të Zvicrës, pasi derisa të tjerët ishin vaksinuar, ai s’kishte dashur ta merrte vaksinën kundër virusit.
“Granit Xhaka nuk është vaksinuar. Ai është lojtar i pa vaksinuar. Ne i kemi lënë (vendimin për vaksinim) në dorën e secilit lojtar, është zgjedhje personale për çdo lojtar, siç është për çdo person tjetër në Zvicër. Ne e kemi bërë një rekomandim që të vaksinohen të gjithë. Ai vendosi vetë (kundër vaksinimit). Është e drejta e tij të mos vaksinohet”, kishte thënë Arnold.
Mospranimi i Xhakës për t’u vaksinuar i bëri jehon qëndrimit të shumë shqiptarëve në Zvicrës që refuzojnë të vaksinohen, pavarësisht rrezikut që virusi përbën për shëndetin e tyre.
Madje gazeta e përditshmes zvicerane, Blick, kohë më parë iu bëri thirrje shqiptarëve të Zvicrës në gjuhën shqipe që të vaksinohen.