Strakosha “flirton” me klubin e madh, deklarata e tij shkakton “tërmet” te Lazio

Portieri i Lazio, Thomas Strakosha, ka pranuar se do të ishte i interesuar të bashkohej me Borussia Dortmund, me klubin gjerman që thuhet se kërkon të nënshkruajë me një portier të ri. Raporte të shumëfishta kanë pohuar në javët e fundit se gjigantët e Bundesligës duan të afrojnë një portier të ri të zgjedhjes së parë në merkaton e verës.

Dhe tani Strakosha, me sa duket e ka vendosur emrin e tij në “ankand”. Portieri shqiptar është kufizuar në vetëm tetë paraqitje deri më tani, këtë sezon. Aktualisht është jashtë veprimi për shkak të një dëmtim në gju. E ardhmja e tij me bardhekaltrit duket e pasigurt, me Pepe Reina që preferohej nga trajneri Simone Inzaghi qysh para se 25 vjeçari të dëmtohej.

Në një intervistë me “Sky Germany”, Strakosha tha se Borussia Dortmund është një klub i madh dhe ai do të ishte i interesuar të bënte kalimin në Bundesliga: “Borussia Dortmund është një klub i madh, ka një ekip të ri dhe ambicioz. Sigurisht që është një klub interesant. Stadiumi i tyre është i pabesueshëm. Do të gënjeja nëse do të thoja që nuk më intereson. Unë jam i hapur për sfida të reja. Roma është si një shtëpi e dytë për mua, por Bundesliga është me të vërtetë interesante. Natyrisht mund të jetë një hap i mirë për mua”.

Strakosha ka pak më pak se 18 muaj nga fundi i kontratës së tij aktuale me Lazio, kështu që ka të ngjarë që pala italiane do të kërkojë ta shesë atë në verë, nëse palët nuk bien dakord për një marrëveshje të re.

Mbetet të shihet nëse Borussia Dortmund ka interes për nënshkrimin e Strakosha. André Onana i Ajax, Péter Gulácsi i RB Leipzig dhe Odysseas Vlachodimos i SL Benfica janë tre portierët e lidhur për një lëvizje te verdhezinjtë deri më tani.

Roman Bürki, aktualisht është portieri i parë i Borussia Dortmund, por klubi thuhet se ka dyshime për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë së tij. “Gardiani” zviceran ka edhe dy vite e gjysmë në kontratën e tij aktuale me BVB.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *