Neymari mund ta ketë pësuar një tjetër lëndim të rëndë dhe ka mundësi që viti 2021 ka mbaruar para kohe për të.
Sulmuesi brazilian u bart me barelë jashtë fushës në fitoren e PSG-së 3:1 në udhëtim ndaj Saint-Etienne.
29-vjeçari e ndrydhi nyjën e këmbës së majtë dhe pasi ra në fushë u duk se kishte dhimbje të tmerrshme.
Bashkëlojtarët e tij dhe ekipi mjekësor i PSG-së u dukën tejet të shqetësuar më gjendjen e tij dhe e bartën jashtë fushës në barelë.
PSG-ja njoftoi se ai do t’iu nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore nesër për ta mësuar shkallën e dëmtimit në nyje.
Sa mund të mungojë Neymari?
Neymari ka pësuar lëndim të ngjashëm të nyjës dy herë gjatë karrierës në Paris nga viti 2019, herën e parë ai mungoi dy muaj, ndërsa herën e dytë vetëm katër javë.
Në bazë të lëndimeve të natyrës së njëjtë në të kaluarën, pritet që Neymari të mungojë pesë javë apo më shumë, varësisht nga shkalla e dëmtimit të nyjës.
Në një reagim në rrjetet sociale pas ndeshjes, Neymari shkroi: “Fatkeqësisht, këto telashe janë pjesë e jetës së një atleti”.
“Tani duhet ta ngre kokën lart dhe të eci përpara. Do të rikthehem më i mirë dhe më i fuqishëm”, shtoi ai.