Rrëfimi special i Pique: Ky trajner të prek zemrën, kam qarë kur Messi iku nga Barça

Gerard Pique pranon se ai “qau kur Lionel Messi u largua nga Barcelona”. Pra, një yll i vjetër mund të vlerësojë pse një tjetër duhej të largohej për te Paris SaintGermain.

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” ndërroi eksperiencën e gjatë në Katalonja me kryeqytetin francez gjatë verës së vitit 2021, pasi u bë e qartë se gjigantët e La Liga-s nuk mund t’i ofronin një kontratë të re.

Lotët rrodhën kur amerikano-jugori i lavdishëm i dha lamtumirën Barçës, me shokun e tij të rritur në akademinë “La Masia”, Pique, mes atyre të pushtuar nga emocionet. Pique ishte një mik i ngushtë i superyllit argjentinas, i cili theu rekorde të panumërta gjatë një periudhe të paharrueshme në “Camp Nou”.

Ai tha për mikrofonin e Gary Neville:

“Kam qarë kur Messi u largua nga Barcelona. Unë qava për të. Për karrierën që ka pasur te Barça, do të ishte mirë nëse do të kishte qëndruar deri në fund në klubin tonë. Unë mund ta kuptoj pse Messi nuk mundi të rinovonte. Klubi po vuante shumë ekonomikisht për shkak të presidentit të kaluar dhe mënyrës sesi ai e menaxhoi. Në fund të ditës, këto janë gjëra që ndodhin në jetë. Ndonjëherë ju merrni një vendim dhe gjërat nuk funksionojnë. Për Barcelonën dhe tifozët, Messi ishte si një Zot, do të ishte mirë nëse do të qëndronte”.

Pique shtoi: “Lionel Messi është lojtari më i mirë në historinë e futbollit. Ai ishte lojtari më i mirë i Barcelonës. Gjithmonë kam thënë se ne kishim Messin për të fituar tituj, por duhej të kishim edhe një ekip të mirë. Një lojtar i vetëm nuk mund të fitojë tituj”.

Pique gjithashtu ka lavdëruar ish-trajnerin e Barçës, Pep Guardiola, i cili fitoi tre tituj të La Liga-s dhe dy kurora të Ligës së Kampionëve gjatë katër viteve si trajner në “Camp Nou”:

“Ai është shumë i zgjuar dhe e kupton lojën si askush. Pep të jep të gjitha mjetet për të shkuar në lojë dhe për të qenë gati për çdo lloj situate. Ai e studion shumë mirë ekipin kundërshtar dhe nga kjo fillon të të thotë se çfarë duhet ta bësh në këtë apo atë situatë.

Nga kjo ndiheni shumë të sigurt se do të jeni gati për lojën, pa marrë parasysh sfidën, sado i vështirë të jetë kundërshtari. Mendërisht është shumë i mirë, fjalimet e tij janë shumë motivuese. Pep të prek zemrën.

Mbaj mend që duke folur, ai përdorte fjalët e duhura çdo herë për të të bërë të ndihesh se përballë teje ke një sfidë shumë të fortë, por një mundësi për t’I treguar botës veten dhe se mund të triumfosh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *