Rrahmani me paraqitje të shkëlqyer i ndihmon Napolit ta ruajë kreun në Serie A dhe ecurinë e fitoreve radhazi

Amir Rrahmani i ka ndihmuar Napolit ta mposht 2:1 Fiorentinën duke e shënuar golin e triumfit dhe duke e bërë një pritje vendimtare. Puna e shkëlqyer e kosovarit bën që Napoli ta vazhdojë ecurinë e përkryer të fitoreve radhazi dhe ta ruajë kreun në Serie A.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës Rrahmani e shënoi golin e fitores së Napolit kundër Fiorentinës të dielën në Firencë, i cili ishte i dyti për të këtë sezon në ligën elitare italiane.

Në paraqitje e tij të katërt si titullar për skuadrën e Luciano Spallettit, mbrojtësi i lindur në Prishtinë e shënoi golin e dytë personal në Serie A.

27-vjeçari kishte shënuar edhe në fitoren e thellë të Napolit 4:0 kundër Udinesës në paraqitjen e tij të parë të sezonit për napolitanët.

Fiorentina e befasoi Napolin duke kaluar në epërsi 1:0 pas vetëm gjysmë ore lojë, kur shënoi Lucas Martinez Quarta.

Hirving Lozano e barazoi rezultatin në minutën e 41-të nga një top i kthyer në zonë nga portieri, i cili e bëri pritje të dyfishtë duke i ndalur penalltinë dhe goditjen me kokë të Lorenzo Insignes njëkohësisht.

Rrahmani shënoi gol të bukur me kokë pas një harkimi të Zielinskit nga një ndërprerje në minutën e 50-të. Rreth 10 minuta para fundit, kosovari e largoi një harkim të Riccardo Sottil i cili po shkonte drejt sulmuesit Vlahovic i vetmuar brenda zonës napolitane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *