Reja: Donim rezultat më të thellë, por ekipet si San Marino mbyllen prapa

Shqipëria fitoi me rezultat 2-0 në udhëtim te San Marino, ndërsa përzgjedhësi Edy Reja ka thënë se dëshira e tij ishte të fitonim me rezultate të thellë, por kundërshtari, sipas tij ishte mbyllur prapa, duke mos lënë hapësira.

“E kishim për detyrë të fitonim, patëm shumë raste. Donim të fitonim 4-0, 5-0, por rëndësishme është që morëm tri pikët. Kur luan tri ndeshje brenda pak ditëve, ekipi ndjen lodhje, sigurisht”, citon SuperSport fjalët e trajnerit.

Ndryshimet taktike: “Provuam disa lëvizje më vertikale me Uzunin dhe Roshin. Skuadra u përpoq të reagonte. Krijuam më shumë mundësi dhe arritëm të shënonim golin, duke marrë tri pikët. Mesfusha u përpoq shumë në pjesën e parë, por nuk arritëm të dilnim te finalizimi. Në pjesën e dytë ishim më ndryshe dhe arritëm të finalizonim.”

Rreshtimi: “Luajtëm me tre mbrojtës, por Lenjani dhe Hysaj më shumë u morën me fazën sulmuese se me atë mbrojtëse. Doja të luaja me rreshtimin 4-4-2, të zhvendosja Lenjanin më përpara. Të dy lojtarët e krahëve krijuan shumë raste. Lojtarë që e alternojnë shumë mirë edhe fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese.

Armando Broja: “Sulmuesit kanë vështirësi me këto ekipe si Andorra dhe San Marino, sepse mbyllen mbrapa. Shpresoja që ai të bënte më mirë sot. Është lojtar që ka nevojë për hapësira. Has vështirësi në zona të ngushta. Pjesën e parë nuk jam i kënaqur, sepse bëmë pak gjuajtje në portë, në pjesën e dytë, krijuam më shumë mundësi, deri sa dolëm te goli. E kemi shumë të vështirë, me skuadra të tilla që tërhiqen shumë mbrapa, kjo më bën të reflektoj edhe për skema të tjera. Do më pëlqente të kishim shënuar më shumë gola dhe të kishim luajtur ndryshe, por ja që nuk ia dolëm dot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *