Real Madridi do të tentojë të dalë gjashtë pikë para Barcelonës në krye të tabelës së La Ligës kur ta presë rivalin e qytetit, Atletico Madridin, në Santiago Bernabeu, sot në orën 16:00.
Los Blancos për momentin janë tre pikë para Barcelonës, ndërsa Atletico është në pozitën e e pestë me36 pikë.
Përkundër që edhe Real Madridi është përballur me disa probleme gjatë këtij sezoni, skuadra e Zinedine Zidane do ta nisë derbin e Madridit me një ecuri mbreslënëse prej shtatë fitoreve radhazi në të gjitha garat.
Real Madridi triumfoi kundër Atletico Madridit në penallti në finalen e Superkupës së Spanjës, që u zhvillua në fillim të këtij muaji të Arabi Saudite. Që nga atëherë, djemtë e Zidane i kanë marrë katër fitore të tjera radhazi.
Humbja e Barcelonës me rezultat 2:0 kundër Valencias ia dha Real Madridit mundësinë të kalojë në krye të tabelës. Këtë mundësi e shfrytëzuan madrilenët që fituan 1:0 kundër Real Valladolidit.
Sot, Real Madridi e ka mundësinë ta lërë Barcelonën për gjashtë pikë prapa, pasi që kampionia në fuqi nuk luan deri të dielën në mbrëmje për këtë xhiro.
Në anën tjetër, Atletico e nis këtë ndeshje me një ecuri të dobët prej katër ndeshjeve pa fitore në të gjitha garat. Ata s’kanë arritur të sigurojnë fitore që nga ndeshja kundër Barcelonës në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.
Megjithatë, historia sugjeron se Reali s’do ta ketë të lehtë në këtë derbi. Pesë nga gjashtë përballjet e tyre të fundit në ligë kanë përfunduar baras, përfshirë këtu atë pa gola në takimin e tyre të fundit në Bernabeu, në shtator të vitit 2018.
Për më tepër Real Madridi s’ka arritur ta mposhtë Atletico në Metropolitano në një ndeshje të ligës që nga dhjetori i vitit 2012. Skuadra e Zidane cilësohet favorite, mirëpo skuadra e Diego Simeone shpeshherë ka treguar se di t’i befasojë rivalët e qytetit.