Kombëtarja e Kosovës në futsall sot është nisur për në Gjeorgji, atje ku do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues për kampionatin Evropian të futsallit “Euro 2020”.
Mirëpo pak minuta para nisjes, futbollistet e Kosovës janë parë duke pirë duhan, gjë që shihet qartazi në fotografitë e siguruara nga KosovaPress.
Në një prononcim të shkurtër, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Kosovës, Eroll Salihu foli rreth këtij rasti, duke e cilësuar këtë gjest si të pahijshëm, mirëpo sipas tij, ata nuk mund të ua ndalojnë futbollistëve pirjen e duhanit.
“Me të vërtete është një gjë e pahijshme. Nuk është në rregull aspak. Lojtarët në momentin që prezantojnë Kosovën, kanë të veshur fanellën e Kosovës assesi nuk iu lejohet të pinë duhan në vendet publike, është totalisht e pa tolerueshme mirëpo ne nuk mund të jua ndalojmë atyre duhanin në jetën e tyre private”, tha fillimisht Salihu.
Sa i përket një dënimi të mundshëm për futbollistët të cilët u panë duke pirë duhan, Salihu deklaroi se duhet të bisedohet më përzgjedhësin e Kosovës, Ramadan Cimili-n dhe më pas të vendoset për një gjë të tillë.
“Nuk mund ti dënojmë menjëherë. Ata nuk kanë bërë aspak mirë. Do të bisedojmë me përzgjedhësin, Ramdan Cimilin dhe të ju japim vërejtje lojtarëve që kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje”, përfundoi Salihu.
Kujtojmë se në këto kualifikime Dardanët e futsallit do t’i luajnë tri ndeshje, kundër Austrisë më 29 janar, në orën 16:00, kundër Gjermanisë, më 30 janar, po ashtu në orën 16:00 dhe kundër Gjeorgjisë, më 2 shkurt, në orën 22:00.