Presidenti i FFK-së në takimin përmbyllës të vitit me gjyqtarët: Drejtësi maksimale edhe në vitin 2024

Në një atmosferë festive në takimin përmbyllës të vitit me gjyqtarët e futbollit nga Lidhja Rajonale e Futbollit të Prishtinës, presidenti Agim Ademi, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për drejtësi dhe rregullsi në fushën e lojës.

Në një adresim frymëzues përpara gjyqtarëve, i pari i FFK-së ka përshëndetur angazhimin e tyre të palodhur në vitin që po mbyllet, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e tij për punën e tyre të shkëlqyer.

Në fjalën e tij, presidenti Ademi ka theksuar rëndësinë e rolit të gjyqtarëve në lojën e futbollit, duke i cilësuar ata si figurat qendrore të një ndeshje. Ai ka nënvizuar përkushtimin e tyre për sigurimin e drejtësisë maksimale dhe rregullsisë gjatë garave vendore, por edhe në arenën ndërkombëtare.

“Sot, jam këtu për t’ju falënderuar për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në vitin që po e lëmë pas. Ju jeni pjesë e një dimensioni të veçantë të futbollit, ku drejtësia dhe rregullsia janë thelbi i lojës. Një ndeshje me drejtësi maksimale sjell kënaqësi për të gjithë pjesëmarrësit dhe tifozët, andaj kërkoj që të vazhdoni ta kryeni detyrën tuaj me përpikëri edhe në vitin 2024”, theksoi presidenti Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *