Numri një i FFK-së, Agim Adem dhe përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes kanë zhvilluar sot një takim ku është diskutuar për të gjetur formulën që ekipi kombëtar i Kosovës t’i kthehet sa më shpejt rezultateve.
Sipas një njoftimi nga FFK-së, Ademi ka takuar edhe zyrtarët tjerë të kombëtares si drejtorin Muharrem Sahiti, përgjegjësin e Kombëtares nga KE, Bakir Burri dhe menaxherin bajram Shala për të diskutuar rreth situatës së fundit të krijuar në ekipin kombëtare.
Më poshtë mund të gjeni njoftimin e plotë të FFK-së
Me ftesë të presidentit Agim Ademi, për vizitë në Kosovë po qëndron përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes. Presidenti Ademi ka diskutuar me përzgjedhësin për nevojën e koordinimit sa më të mirë në ekipin kombëtar.
Ai theksoi se është i vetëdijshëm se ka kohë që ekipi kombëtar nuk ka qenë i kompletuar dhe se në dy ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues luajtëm me dy kombëtare të forta, por se tanimë duhet gjetur mundësi e hapësira për t’u kthyer forma e rezultateve dhe për t’u zëvendësuar secili lojtar që mungon.
Ademi theksoi se për të, për KE-në dhe opinionin në tërësi, ekipi kombëtar është i shenjtë, prandaj duhet që të gjithë ta japin maksimumin për ta kthyer formën dhe rezultatet pozitive, me të cilat ishte krenar i gjithë populli ynë.
Tutje, ai, ritheksoi se FFK edhe në të ardhmen do t’ia krijojë të gjitha kushtet e nevojshme ekipit kombëtar, por ka kërkuar që edhe përkushtimi i futbollistëve, trajnerëve dhe i gjithë stafit të jetë maksimal, ngase përfaqësimi i vendit është diçka e shenjtë.
Ai u shpreh se është shumë i interesuar që Kombëtarja t’u rikthehet rezultateve pozitive, ngase e di se ka potencial brenda saj.
Ata bashkëbiseduan edhe për ndeshjet e ardhshme miqësore në qershor dhe ato të radhës kualifikuese, duke u zotuar se do të bëjnë më të mirën e mundshme, teksa ishin në një zë në faktin se në futboll janë rezultatet ato që vlerësojnë punën e gjithsecilit.
Nga ana e tij përzgjedhësi Challandes premtoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe do të mundohet të bëjë më të mirën për Kosovën.
Presidenti Ademi po ashtu ka diskutuar edhe me përgjegjësin e Kombëtares nga KE, Bakir Burri, drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxherin Bajram Shala, me ç’rast kërkoi rregullsi dhe përkushtim nga secili pjesëtar i ekipit Kombëtar.
Ai theksoi se të gjithë do ta kenë përkrahjen e tij dhe të KE-së, përfshirë futbollistët, trajnerët dhe stafin, në mënyrë që të rikthehet sa më parë gjendja reale e rezultateve në kombëtaren tonë. Po ashtu, presidenti Ademi nënvizoi se do të mundohen të aranzhojnë sa më shumë ndeshje kontrolluese, të cilat do të ndihmonin që t’u jepet hapësirë sa më shumë futbollistëve për ta dëshmuar potencialin e tyre.