Pikët e plota mbesin në Suharekë, Ballkani triumfon kundër Prishtinës në derbin e javës

Ballkani e ka fituar kryendeshjen e xhiros së 11-të në kampionatin elitar të Kosovës në futboll kundër Prishtinës.

“Portokallezinjtë” ndalën pikët e plota në shtëpi falë fitores 2-0 ndaj kryeqytetasve.

Pjesa e parë u mbyll baras në rezultat, por jo edhe në numrin e lojtarëve në fushë. Geuthier Mankenda u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 30-të me ç’rast punët për kryeqytetasit u vështirësuan dukshëm.

Ballkani krijoi epërsinë e parë në minutën e 58-të me sulmuesin, Solomon që shënoi golin e parë me fanellën e suharekasve.

13 minuta më vonë, Ermal Krasniqi me një solo-depërtim në zonë dhe me një goditje të fortë dyfishoi shifrat në të mirë të Ballkanit.

Prishtina nuk gjeti forcën të rikthehet në lojë dhe kësisoj ndeshje u mbyll me triumfin e Ballkanit.

Të besuarit e trajnerit, Bekim Isufi ngriten në vendin e parë në tabelë me 21 pikë, ndërsa Prishtina ngec në pozitën e pestë me 13 të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *