Përveç Marseille, edhe dy skuadra italiane futen në garë për yllin e ardhshëm të Kosovës

Andi Zeqiri ka shkëlqyer edicionin e kaluar me skuadrën zvicerane Lausanne – Sport, duke e rikthyer në elitën e futbollit zviceran.

Në 37 ndeshje zyrtare, Zeqiri shënoi 22 gola dhe bëri 10 asistime duke zgjuar edhe interesimin e skuadrave nga kampionatet kryesore të Evropës.

Olympique Marseille dhe Lens janë dy skuadrat franceze që prej kohësh janë duke tentuar të nënshkruajnë me Zeqirin.

Por së fundmi në garë për t’i marrë shërbimet e yllit ë ardhshëm të Përfaqësueses së Kosovës janë futur edhe dy skuadra italiane.

Fjala është për Hellas Veronën dhe Udinesen, dy ekipe që tanimë kanë nisur bisedimet me agjentët e Zeqirit.

21-vjeçari që aktualisht luan për grupmoshat e Zvicrës, por që ka pranuar t’i bashkohet Kosovës ka kontratë me Lausannen deri në verën e vitit 2021.

Gjithsesi largimi i tij nga Lausanne duket i sigurt, por mbetet të shihet se cila skuadër do të ofrojë më shumë për shërbimet e lojtarit.

Duke parë që kontrata e tij është drejt fundit, Lausanne do të kënaqej edhe me një shumë prej tre milionë euro për ta lënë të lirë kosovarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *